Xhudistët që përfaqësojnë Kosovën në kampionatin botëror, të mërkurën, kanë mësuar kundërshtarët e parë dhe rrugën që ata shpresojnë se do t’i dërgojë te medaljet botërore.
Të mërkurën është tërhequr shorti për botërorin që të enjten (sot) nis në Baku të Azerbajxhanit. Xhudistët kosovarë nuk patën shumë fat në short dhe rrjedhimisht rruga drejt medaljeve është e gjatë dhe e vështirë. Por në botëror nuk ka rrugë të lehtë që dërgon te luftërat për medalje, shkruan sot Koha Ditore.
Për këtë janë të vetëdijshëm xhudistet Distria Krasniqi, Nora Gjakova e Loriana Kuka dhe xhudisti Akil Gjakova. Më mirë se xhudistët që përfaqësojnë Kosovën në botëror, këtë fakt e di trajneri i tyre, Driton Kuka.
Ka pasur plot aktivitete të martën e të mërkurën në Baku, në prag të botërorit. Ethet e ngjarjes më të madhe të vitit në sportin e xhudos kështu kanë nisur më herët, por xhudistët dhe trajnerët e tyre më të koncentruar janë që prej të së enjtes e tutje të shfaqin më të mirën.