Xhudistja kosovare Distria Krasniqi ia ka siguruar Kosovës një medalje në kategorinë deri në 52 kilogramë në Grand Slamin e Parisit, pasi që e ka zënë një vend në finalen e kësaj gare.
Distria Krasniqi e vazhdoi me formë mbresëlënëse turneun në Paris dhe arriti ta mposhtë brazilianen Sarah Menezes në gjysmëfinale, duke e siguruar kështu të paktën medaljen e argjendtë, përderisa do të tentojë ta fitojë atë të artë.
Në çerekfinale kosovarja e mposhti japonezen Ai Shishime, që radhitet e dyta në ranglistën botërore për kategorinë deri në 52 kilogramë, dhe e preu kështu biletën për në gjysmëfinale.
Për t’u kualifikuar në çerekfinale Krasniqi u tregua shumë e fortë në rundin e tretë për xhudistin franceze Penelope Bonna dhe e mposhti atë në shtëpinë e saj, pasi që turneu po zhvillohet në Paris.
Kosovarja e kishte kaluar rundin e parë pa luftë, ndërsa në rundin e dytë u tregua shumë e fortë për algjerianen Flaza Aissahine.
Kosova po përfaqësohet me tri garuese në turneun e xhudos, “Paris Grand Slam 2020”, njëra prej të cilave është edhe Distria Krasniqi. Edhe pse pritej që pjesë e këtij turneu të ishte edhe Majlinda Kelmendi, trajneri Driton Kuka e tërhoqi atë në momentet e fundit.
Xhudistja kosovare Nora Gjakova u eliminua në fazën çerekfinale të kategorisë deri në 57 kilogramë dhe tani do të garojë për medalje të bronztë.
Ndërsa Laura Fazliu e ka mbyllur në rundin e dytë rrugëtimin e saj në kategorinë deri në 63 kilogramë në Grand Slamit e Parisit, pasi që u mposht me ippon në rundin e dytë nga koreania Hee Ju Han./Gazeta Express/