Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, do të kthehet nesër në gara, për herë të parë pas medaljes së artë olimpike, të fituar më 24 korrik të këtij viti në Tokio të Japonisë.
Krasniqi po kthehet me një ndryshim të kategorisë, ku pas disa vitesh do të garojë në minus 52 kilogramë, për dallim nga kategoria -48 kg, në të cilën u bë kampione olimpike.
Xhudistja jonë është e vetmja nga ekipi i xhudos së Kosovës, që do të garojë në Grand Slamin e Bakusë, që mbahet prej 5-7 nëntor në kryeqytetin e Azerbajxhanit.
“Kam ardhur për të garuar në -52 kg. Është kategoria që më përshtatet më së miri”, thotë Krasniqi për uebfaqen zyrtare të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (ijf.org.). Në pyetjen se çfarë po bënte deri tash në kategorinë -48 kg, ajo përgjigjet: “Ishte disi si një operacion komando, një strategji afatshkurtër për të fituar të artën olimpike”.
Krasniqi në luftën e parë do të përballet me Nanako Tsubone të Japonisë, ndërsa në raundin e dytë e pret hungarezja, Reka Pupp. I urojmë shumë fat dhe suksese kampiones tonë në rrugën drejt medaljes