Vendosja e taksës fillestare nga Qeveria e Kosovës prej 10 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina dhe më pas rritja e saj në 100 për qind, ka bërë që fabrikat e miellit në Kosovë të mos shesin miell derisa ta kuptojnë çmimin e importit nga shtetet e tjera.
Besart Jashari, bashkëpronar i fabrikës së miellit “Qali” në Lipjan, tha për kallxo.com se masa mbrojtëse ndaj produkteve të Serbisë ka bërë që çmimi i grurit të rritet dhe se aktualisht nuk janë duke shitur miell për furrtarët.
“Në fillim ka qenë ngritja e çmimit të grurit, pastaj erdhi 10 për qindëshi i taksës së Kosovës për produktet e Serbisë, sepse gruri 90 për qind vjen prej Vojvodinës së Serbisë. Për momentin ne si firmë nuk jemi duke bërë shitje sepse nuk po e dimë sa është duke dalë çmimi i grurit, pasi nuk dihet se prej cilave vendeve të tjera do të importojmë grurin”, tha ai.
Jashari thekson se prej se është bërë taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe e boshnjake, fabrika “Qali” nuk ka shitur miell edhe pse kanë kërkesa të mëdha në treg.
“Çmimi i grurit është rritur deri në 24 cent për kilogram, prej 12 dhe 2-0 cent sa ishte ne fillim. Ka interesim të madh për të blerë miell, por nuk po shesim derisa të përcaktohet çmimi që vjen nga jashtë. Nuk guxojmë të bëjmë shitje, nëse bëjmë ose e vendosim çmimin paushall ose të rrezikojmë me humbje dhe këtë gjë nuk mund ta bëjmë”, tha ai.
Po ashtu, edhe Erhan Morina, menaxher i fabrikës së miellit “RIZAM Holding” nga Prizreni, thotë se nuk kanë miell të mjaftueshëm për furnizim.
“Jo nuk kemi miell të mjaftueshëm për furnizim të konsumatorëve. Çmimi i miellit është rritur, ka qenë 32 centë, ndërsa tash është 35 centë për kilogram. Nga Bosnja e kemi 50 për qind ndërsa 10 deri në 15 për qind e kemi importin nga Serbia varësisht prej viteve, mirëpo sasinë kryesore të grurit e kemi nga bujqit në Prizren”, tha ai.
Sipas Morinës, nëse rriten çmimet e grurit dhe miellit në treg, kjo do të ndikojë që edhe fabrika e tyre t’i rrisë çmimet.
“Rritja e çmimit varet nga tregu sepse ka të bëjë me konkurrencën”, theksoi Morina.
Ndërsa, Dardan Shala, Drejtor i Përgjithshëm i fabrikës së miellit “M&Sillosi” nga Rahoveci tha se pas taksës ndaj produkteve të Serbisë, kanë nisur importin e grurit nga shtetet e tjera siç janë Hungaria dhe Kroacia.
“Para se të merret masa prej 10 për qind, çmimi i grurit në aspektin global ka ndryshuar pak, diku prej datës 15 tetor e deri me 6-7 nëntor kur ka hyrë 10 përqindëshi, ka lëvizur çmimi i grurit është rritur për 9.5 për qind. Natyrisht që vendosja e masës për 100 për qind ka ndikuar që ne me automatizëm ta ndërpresim importin komplet prej Serbisë dhe jemi orientuar në tregun e Hungarisë dhe Kroacisë, madje sot kam pasur dërgesë prej Hungarisë”, theksoi ai.
Sipas Shalës, industria e miellit ka shënuar rritje të çmimeve të grurit për 12 për qind. Fabrika “M&Sillosi” thotë se nuk ka telashe në furnizimin e bizneseve me miell.
“Realisht nuk ka ndonjë krizë për furnizim me miell. Tash kompanitë tjera rajonale e dinë që Kosova është një treg i mirë, pasi blejmë shumë grurë. Kam thirrje prej Kroacisë dhe Hungarisë me oferta. Si kompani gjatë sezonit në vend grumbullojmë 20 për qind të sasisë me grurë, ndërsa pjesa tjetër sigurohet prej importit”, përfundoi Shala.