Dita Botërore e Autizmit, një sërë sfidash, kërkohet mbështetje institucionale

Prishtinë | 02 Pri 2025 | 16:15 | Nga Diellza Gashi

Me rastin e Ditës Botërore të Autizmit, u organizua diskutim për ngritjen e vetëdijes dhe eksplorimin e zgjidhjeve për një përfshirje dhe mbështetje më të mirë për personat me autizëm në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Hatixhe Hoxha, udhëheqëse e Shoqatës ‘Autizmi’, tha se sfida e vazhdueshme që përballen familjet e fëmijëve me autizëm është vështirësia e diagnozës së hershme si dhe qasja në arsim dhe shërbimet shëndetësore.

“Kur i kthehemi historikut, shohim se shumëçka është bërë më mirë sesa që kemi qenë. Disa sfida kanë mbetur në të kaluarën dhe disa na përcjellin prapë. Duke pasur më shumë shërbime, shoqata me angazhim te prindërve po ndihmojnë në trajnime t’i sjellin fëmijët në mosha të reja. Të gjithë bashkëthemeluesit kanë pasur raste të tilla. Sfida me të cilat atakohen prindërit janë gjithëpërfshirja, por edhe shërbime të qëndrueshme. Në momentin kur prindi merr diagnozë kërkon rrugë dhe zgjidhje. Shpesh prindërit gjendet në udhëkryq që institucionet do të duhej të ishin në krahë. Dua që prindërit të kenë rrugë më të shkurtra dhe të jenë institucionet që mbështesin. Kur themi te gjithëpërfshirja a mundet që çdo fëmijë të jetë i përfshirë në arsim të rregullt, të gjitha keto në nivel vendi, për të qenë ekipet më funksionale”, tha Hatixhe Hoxha.  

Drejtoresha ekzekutive e “KOMF”, koalicioni i OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë, Donjeta Kelmendi tha se sfida e përgjithshme e fëmijëve me autizëm është qëndrueshmëria financiare, për shkak se, sipas saj, këta fëmijë kanë nevojë për shërbime intensive dhe me intervale.

“Pjesa dërrmuese marrin financa nga organizata joqeveritare. Këto janë shërbime më intensive që puna bëhet edhe në formë individuale, por edhe shërbimet bëhen në formë intervale. Përballen në vazhdimësi me qëndrueshmëri financiare që në institucionet publike nuk shërbehen. Përderisa nuk mund të ofrohen këto nga institucionet është mënyra e kontraktimit që ofrojnë shërbime për fëmijët me autizëm, kontraktimi akoma nuk është krijuar në nivelin e duhur. Ka një rritje të konsiderueshme nga Ministria e Drejtësisë këtë vit, por buxheti është akoma larg përmbushjes së kërkesave për fëmijët me autizëm, por edhe fëmijët e tjerë me aftësi të kufizuar”, tha Kelmendi.

Mbikëqyrësja e punës terapeutike në Organizatën joqeveritare “Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë” (ANAK), Rrezarta Mahmutaj – Sadikaj tha se sfida e mungesës së asistentëve nëpër shkolla vështirëson gjithëperfshirjen e fëmijëve me autizëm.

“Në rrugëtimin e gjithëpërfshirjes si dhe trajtimi i fëmijëve me autizëm sfidat janë të ndryshme, po mungojnë asistentë të fëmijëve për shkak se duhet një qasje më specifike. Kemi arritur që në këtë pjesë të kemi ndikim në trajnime nëpër shkolla, por nuk mund të arrijmë impaktin e mungesës së asistentëve”, tha Mahmutaj- Sadikaj. /Ekonomia Online/

Të ngjashme