Zyra për Qeverisje të Mirë/Zyra e Kryeministrit, në bashkëpunim me Shoqatën Autizmi, Asociacionin Nacional të Autizmit në Kosovë (ANAK) dhe Shoqatën Autizmi Flet, organizuan konferencën “Gjithëpërfshirja dhe shërbimet sociale – themeli i së ardhmes së qëndrueshme!”, në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Autizmit, raporton Ekonomia Online.
Në këtë konferencë u diskutua për përmirësimin e shërbimeve sociale, sfidat në përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara dhe nevojën për një qasje gjithëpërfshirëse në arsim dhe shëndetësi.
Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini, theksoi finalizimin e Strategjisë Kombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuara, që synon hapa përpara për këtë kategori.
“Në së bashku kemi zhvilluar dhe kemi finalizuar strategjinë nacionale për personat me aftësi të kufizuara, që ka për qëllim gjithëpërfshirjen, shërbimet sociale, arsimim cilësor, shërbimet shëndetësore, qasja adekuate për personat me aftësi të kufizuara dhe shumë objektiva të tjera”, tha Hajredini.
Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, vuri në dukje angazhimin e qeverisë për reformimin e shërbimeve sociale dhe familjare, përfshirë ndryshimet ligjore dhe buxhetore. Ajo po ashtu përmendi sfidat në bashkëpunimin me komunat për zbatimin e këtyre shërbimeve.
“MD po vazhdon që të merret me reformën në shërbime sociale. Po ashtu edhe shërbime familjare. Në aspektin legjislativ dhe në aspektin e buxhetimit të këtyre shërbimeve me qëllim që ta krijojmë një sistem të shërbimit social që është gjithëpërfshirës, i qasshëm, që është efikas dhe që vlen për çdo person që është në nevoja sociale. Aktualisht jemi në fazën e hartimit të akteve nënligjore të cila derivojnë nga Ligji për shërbime sociale dhe familjare, po punohet me dinamikë të shtuar brenda kapaciteteve tona të shërbimit civil që këto akte të përfundojnë. Sa i përket aspektit buxhetor vetëm në këto tri vitet e fundit, MD dhe qeveria ka pasur në dispozicion një fond prej 6.3 milionë eurosh për shpenzime sociale dhe familjare është fondi më i madh që është ndarë nga qeveria. Unë do të doja që fokusi dhe përkushtimi i nivelit qendror kundrejt shërbimeve sociale dhe familjare ta ketë edhe niveli lokal. Duhet ta them dhe ta përsëris se kemi shumë sfida në bashkëpunimin me komuna. Kudo që ne kemi shkuar në vizita, në organizata që veprojnë në komuna në kuadër të Republikës së Kosovës themi se nuk po mbështeten në raport me sfidat që i kanë nga komunat”, tha ministrja në detyrë Haxhiu.
Hatixhe Hoxha, udhëheqëse e Shoqatës ‘Autizmi’, foli për sfidat e vazhdueshme me të cilat përballen familjet e fëmijëve me autizëm. Ajo kërkoi krijimin e një ekipi multidisiplinar për diagnostikimin dhe ndërhyrjen e hershme te fëmijët me autizëm.
“Ne edhe sot vazhdojmë që të përballemi me forma dhe vështirësi të ndryshme, si në fushë arsimore, shëndetësore dhe jo vetëm. Vështirësitë vazhdojnë që nga mosnjohja e plotë apo e kufizuar, diagnoza e vonuar, mungesa e mbështetjes pas kësaj diagnoze që jepet, vështirësi në akses në arsim, shërbime sociale dhe shëndetësore, tranzicione shumë të vështira. Ne duke i njohur familjet e personave me çrregullim autik, shohim cdo ditë se ata bartin sistematikisht ngarkesa të konsiderueshme emocionale, ekonomike dhe të kujdesit. Dua të nënvizoj nevojën e ngutshme për një trupë multidisiplinare për diagnostikimin e fëmijëve me autizëm në mosha të hershme. Nevojë për intervenimim e hershme”, tha Hatixhe Hoxha. /Ekonomia Online/