Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë nesër, më 31 maj, në kuadër të Ditës Botërore Pa Duhan, jemi bashkuar për të dërguar një mesazh të fuqishëm dhe të përbashkët: të mbrojmë të rinjtë nga ndikimi i industrisë së duhanit dhe të ndërtojmë një të ardhme të lirë nga varësia ndaj nikotinës, thuhet në deklaratën për Ditën Botërore Pa Duhan.
“OBSh thekson se industria e duhanit dhe nikotinës po përdor gjithnjë e më shumë taktika të sofistikuara për të shënjestruar të rinjtë:
përmes influencerëve në rrjete sociale që promovojnë produkte të reja si vape dhe cigare me shije, përmes paketimeve me dizajn atraktiv, dhe
përmes sponsorizimeve të ngjarjeve rinore apo sportit, të cilat synojnë normalizimin e konsumit.
Këto janë mënyra të kamufluara, por tepër të fuqishme, për të tërhequr brezat e rinj drejt një varësie që dëmton jo vetëm shëndetin fizik e mendor, por edhe të ardhmen e tyre.
Tema e këtij viti, “T’i heqim Masken Ndikimit – Të rinjtë për një të ardhme pa duhan”, na fton të heqim maskën dhe të ekspozojmë taktikat e rafinuara që industria e duhanit përdor për të joshur brezat e rinj – qoftë përmes rrjeteve sociale, produkteve me shije, apo marketingut digjital të fshehur.
Kosova nuk qëndron jashtë këtyre zhvillimeve, prandaj Qendra për Avokim dhe Zhvillim (KADC), me mbështetjen e partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë, ka iniciuar fushatën gjithëpërfshirëse:
*T’i heqim Masken Ndikimit – Të rinjtë për një të ardhme pa duhan”.
Përmes kësaj fushate, të rinjtë janë angazhuar në monitorimin e përmbajtjes digjitale të industrisë së duhanit, kanë ndarë gjetjelpërmes sfidës #ZbulojeTaktiken, dhe po ndihmojne në ndërtimin e një presioni pozitiv publik për ndryshim të politikave.
Ne jemi këtu sot për të ritheksuar mbështetjen tonë për draft Ligjin e ri për Kontrollin e Duhanit, i cili përmban masa thelbësore dhe të domosdoshme për të mbrojtur brezat e rinj:
⚫ Ndalim të plotë të reklamimit dhe promovimit të produkteve të duhanit dhe nikotinës, përfshirë ato në platformat digjitale;
⚫ Zbatim të paketimit standard (plain packaging), për të larguar çdo efekt joshës vizual;
⚫ Ndalim i shijeve të ëmbla frutash që targetojnë posaçërisht femijet dhe të rinjtë;
Ky ligj është një hap i guximshëm, por i drejtë. Ai nuk synon të penalizojë qytetarët, por të mbrojë shëndetin e tyre dhe të brezave që po rriten. Ne nuk mund dhe nuk duhet të lejojmë që fëmijët dhe të rinjtë tanë të bëhen një treg i ri për industrinë e varësisë.
Në emër të KADC dhe të gjithë partnerëve që e mbështesin këtë reformë, ftojmë të Kuvendin e Kosovës, institucionet përgjegjëse dhe shoqërinë civile që të veprojnë tani – për një të ardhme pa tym, pa mashtrime dhe pa varësi”, thuhet në deklaratën për Ditën Botërore Pa Duhan.