Në Ditën Botërore pa Duhan, që shënohet çdo vit më 31 maj, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) tërheq vëmendjen ndaj efekteve të dëmshme të duhan-pirjes dhe ekspozimit ndaj tymosjes pasive.
Se qytetarët e Kosovës janë konsumues të cigareve tregon vlera e lartë që importohet çdo vit në vendin tonë.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, brenda një viti janë importuar 3,500 tonelata të cigareve me vlerë rreth 87 milionë euro.
“Vitin 2021 kemi pasur rreth 3,500 tonelata import të cigareve me vlerë rreth 87 milionë euro dhe total të taksave të paguara rreth 236 milionë euro”, thuhet në përgjigjen e Doganës për Telegrafin.
Ndërsa, deri në muajin maj janë mbledhur 95 milionë euro taksa nga importi i duhanit.
“Deri në muajin maj kemi rreth 1,400 tonelata me vlerë rreth 34 milionë euro dhe taksat e paguara janë 95 milionë euro”, thekson Dogana e Kosovës.
Gjermania, Kroacia dhe Turqia janë vendet kryesore që importohet më shumë cigare në vendin tonë.
“Gjermania, Kroacia, Turqia, Polonia, Zvicra dhe Greqia janë disa nga vendet kryesore që Kosova importon cigare”, përfundon përgjigjja.