Dita e 16-të, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama

Prishtinë | 15 Qer 2026 | 21:09 | Nga Ekonomia Online

Protestat kundër qeverisë së Edi Ramës po vazhdojnë në Tiranë. Për të 16-n ditë me radhë, qindra qytetarë janë mbledhur në kryeqytetin shqiptar, duke kërkuar transparencë dhe duke kundërshtuar projektet turistike për zonat e mbrojtura të Sazanit dhe Zvërnecit.

Për të 16-n ditë me radhë, protestuesit janë mbledhur në qendër të Tiranës, duke përsëritur kërkesat e tyre kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Ashtu si në ditët e mëparshme, tubimi nisi në Sheshin ‘Skënderbej’, për të vijuar më pas me marshim drejt Kryeministrisë dhe rrugëve kryesore të kryeqytetit.

Gjatë tubimit, në foltore morën fjalën dhjetëra qytetarë, të cilët përsëritën kërkesat dhe qëndrimet e shprehura edhe në protestat e mëparshme.

Sipas mediave, në Shqipëri protesta po vazhdon edhe pas ngjarjeve të një nate më parë, kur marshimi i protestuesve drejt Aeroportit të Rinasit u ndërpre nga policia, e cila bllokoi avancimin e tyre disa kilometra larg aeroportit.

Kryeministri Edi Rama, me anë të një statusi në platformën “X”, deklaroi se vetëm dy janë përfituesit e vërtetë të protestës qytetare: Qeveria dhe Partia Socialiste.

“Nëse ka përfitues të vërtetë nga kjo protestë, ata janë vetëm dy: Qeveria Shqiptare, e cila do të nxjerrë patjetër mësimet që i duhen nga pjesa e çiltër e protestës, duke adresuar si duhet shqetësimet legjitime të asaj pjese dhe Partia Socialiste, e cila kur të shpërndahet mjegulla do t’i zhgënjejë rëndë të gjithë kundërshtarët e saj, duke u shfaqur më e madhe dhe më e fortë në qendër të skenës politike të Shqipërisë”, tha Rama.

Rama, i është përgjigjur përmes rrjeteve sociale edhe një protestuesi, i cili kishte theksuar se protesta në një demokraci nuk matet nga fakti nëse i pëlqen apo jo qeverisë, por nga e drejta e qytetarëve për të kundërshtuar vendime që i konsiderojnë të padrejta ose të dëmshme për interesin publik.

Në reagimin e tij, Rama e veçoi protestuesin nga pjesa tjetër e debatit publik, duke thënë se ai “nuk shan, nuk akuzon dhe nuk deliron online”, teksa shtoi se respekton etikën që ai ka treguar në shprehjen e qëndrimeve të tij.

E kreu i PD-së, Sali Berisha, në një deklaratë për media ku u pyet edhe në lidhje me thirrjet që po bëhen në protestë: “Rama në burg, Berisha në burg” u shpreh se të rinjtë nuk duhet të ndikohen nga slloganet.

“Ndaj dhe unë përshëndes shumë përzemërsisht ata qindra-mijëra qytetarë dhe të rinj, të cilët në fakt po çlirojnë këtë vend nga diktatura më e shëmtuar, në disa aspekte edhe më e dëmshme sesa ajo e totalitarizmit, sepse kjo ka përzënë 1 milion e 300-400 mijë shqiptarë në 10 vjet. Dhe ky është një dëm i tmerrshëm, që do të kërkojë të paktën minimumi 40 vjet në një kurs normal për t’u kompensuar. Danë dhe për këtë, Edi Rama… ky është një gjenocid i mirëfilltë. Gjenocid i mirëfilltë, sipas konventës së OKB-së, dhe Edi Rama meriton të gjykohet për gjenocid”, tha berisha.

Protestat në Tiranë nisën pas kundërshtimeve ndaj projekteve të zhvillimit turistik në zonat e mbrojtura të Sazanit dhe Zvërnecit, por me kalimin e ditëve ato janë zgjeruar në kërkesa më të gjera për transparencë, llogaridhënie institucionale dhe kundërshtim të politikave të qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Çështja e projekteve turistike në Sazan dhe Zvërnec është pasqyruar gjerësisht edhe nga mediat ndërkombëtare, ndërsa grupe ambientaliste dhe organizata të shoqërisë civile kanë shprehur shqetësime për ndikimin e mundshëm në zonat e mbrojtura dhe mungesën e transparencës në procedurat e zhvillimit të projektit.

Të ngjashme