Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i dërgoi një mesazh urimi homologut të tij francez, Emmanuel Macron, me rastin e festës kombëtare të Francës ose e njohur ndryshe si “Dita e Bastilles” .
“Liria, barazia dhe vëllazëria, të cilën ju e festoni më 14 korrik, janë vlera të patjetërsueshme dhe të gjithë admiruesit e atyre idealeve, përfshirë Republikën e Serbisë, kanë për detyrë t’i ruajnë ato në një botë moderne plot sfida,” tha Vuçiq në mesazh urimi.
“Serbia është e privilegjuar të ketë një partner të besueshëm siç është Franca, ashtu si jam i nderuar që ju jeni gjithmonë i gatshëm të dëgjoni pikëpamjet tona për çështje të ndryshme. Marrëdhënia që keni si person dhe si udhëheqës ndaj Serbisë janë të një rëndësie të madhe për ne. Respekti për Serbinë dhe qytetarët e saj, të cilin ju treguat gjatë vizitës tuaj në korrik 2019, është gdhendur, me dashurinë tonë të thellë, në historinë e marrëdhënieve serbo-franceze,” tha Vuçiq në letër, raporton Tanjug, transmeton Klankosova.tv.
“Ne mbetemi të përkushtuar për forcimin e lidhjeve me Francën, mbi bazën e miqësisë tradicionale dhe partneritetit të shpallur strategjik, dhe shpresojmë në mundësinë për t’ju pritur përsëri,” thuhet në mesazhin urues të Vuçiqit drejtuar Macronit.