Të martën në Prishtinë ka vazhduar që të mbahet Marketi i Ndërtimit, i pari i këtij formati në Kosovë, raporton Ekonomia Online. Në këtë panair po marrin pjesë mbi 30 kompani më prestigjioze të ndërtimit dhe të produkteve të ndërtimit.
Qytetarët që vizitojnë këtë panair, do të kenë mundësi të përfitojnë çmime të ulëta.
Avdulla Hasani nga “Ekipi A Managment”, tha se synohet të arrihen marrëveshje të shumta të shitblerjes mes kompanive më prestigjioze të ndërtimit dhe qytetarëve që marrin pjesë në këtë panair.
“Sot është dita e dytë e hapjes së marketit, po besoj që pritet të rritet intensiteti i vizitorëve, normalisht që edhe kërkesat e vizitorëve, e qytetarëve në këtë rast por edhe të kompanive sot dallojnë për shkak se ka qenë një promocion tjetër prej hapjes dhe sot besoj që do rritet numri i vizitorëve dhe kompanitë të dalin me oferta të reja”, u shpreh Hasani.
Hasani gjithashtu u shpreh se shpreson që ky event të bwhet tradicional.
“Lidhur me organizimin e marketit po besoj se është diçka e veçantë në tregun vendor, e sidomos një ofertë e jashtëzakonshme që qytetarët të përfitojnë zbritje nga ofertat që i kanë kompanitë prezentë këtu. Normalisht synojmë që marketi të jetë tradicional dhe në vitin tjetër t’i pranojmë të gjitha kërkesat për pjesëmarrje të kompanive të ndryshme në këtë market. Meqenëse e kemi pasur një stil të themi ndryshe të pjesëmarrjes së kompanive brenda marketit”, tha për Ekonomia Online Avdullah Hasani.
Artan Ramaj, përfaqësues i “Al Trade”, u shpreh se qëllimi i kompanisë që përfaqëson me pjesëmarrjen në këtë panair ishin vetë bashkatdhetarët si dhe tha se ideja e marketit është tejet e qëlluar.
“Nuk është hera e parë që marrim pjesë nëpër panaire. Por fokusi për të cilin edhe jemi në këtë panair është që të jemi më afër edhe bashkatdhetarëve, mirëpo si market është ide shumë e qëlluar, shumë e mirë, është mundësi më e lehtë për të gjithë ata që marrin pjesë”, tha Ramaj.
Ndërkohë në Market pati edhe biznese nga Shqipëria. Erald Hysa, nga kompleksi “Manastiri Resort”, tha se ndonëse veprojnë në Shqipëri kanë klientë të shumtë nga Kosova dhe mërgata.
“Ne kemi ardhur me disa projekte por ai kryesori është Manastiri Resort, projekt turistik që po ndërtojmë në Sarandë. Është kompleks që përbëhet nga banesa dhe vila. Ne sapo morëm vesh që do të mbahet ky market, panair u interesuam që të merrnim pjesë pasi kemi goxha klientelë nga Kosova dhe nga diaspora”, tha ai.
Marketi është organizuar nga “Ekipi A Managment” i përbërë nga ekspertë dhe të diplomuar në universitete prestigjioze amerikane, ku sjell për herë të parë në Kosovë brendin ndërkombëtar të Marketit të shitblerjes së banesave, shtëpive dhe produkteve tjera, me zbritje promovuese.
Marketi do të jetë i hapur edhe të mërkurën, ndërsa të hënën është mbajtur ceremonia zyrtare e hapjes.