Duket se Xherdan Shaqiri do të mbetet në Liverpool, pasi asnjë ofertë nuk ka ardhur për të deri tani në ditën e fundit të afatit kalimtar të kësaj vere.
Përfaqësuesi shqiptar i Zvicrës pritej të largohej nga Anfield para përfundimit të afatit kalimtar të hënën në mbrëmje, me disa klube nga Gjermania dhe Italia që kishin shfaqur interesim për të, transmeton Gazeta Express.
Shaqiri nuk u ftua fare nga Jurgen Klopp për takimin me Arsenalin të enjten në Carabao Cup, edhe pse pritej të ishte titullar, dhe nuk u paraqit as të dielën në humbjen turpëruese 7:2 kundër Aston Villës në Premierligë.
Por sipas burimeve të Goal, 28-vjeçari pritet të mbetet në Liverpool deri në janar të paktën, pasi asnjë ofertë nuk ka shkuar në adresën e të kuqve për shërbimet e tij.
Liverpooli këmbëngul se Shaqiri nuk mund të huazohet por vetëm të blihet, pasi i ka hedhur poshtë ofertat e Romës dhe Sevillës për huazimin e tij në janar.