Në konferencën e mbajtur sot, regjisorja e shfaqjes “Pula”, Ana Bateva, tha se kjo shfaqje për të dhe aktorët është e një rëndësie të veçantë. Ajo gjithashtu shtoi se për artistët e rinj performimi në një vend tjetër është përgjegjësi por edhe kënaqësi.
“Dua të ju falënderoj për ftesën juve organizatorëve të festivalit, për shansin e dhënë që kjo shfaqje të luhet edhe për publikun kosovar. Për neve kjo është shumë e rëndësishme, sepse ne jemi artistë të rinj dhe udhëtimi për ta realizuar këtë shfaqje këtu është shumë e rëndësishme. Ju ftojmë që sonte të jemi së bashku që ta shohim shfaqjen”, tha regjisorja Bateva.
Ndërsa, aktori i shfaqjes “Pula”, Vasil Duev, tha se ndihet i lumtur për mundësinë që festivali “Prishtina International Theater Festival” u dha atyre për të performuar edhe në Kosovë.
“Deri tani ky organizim më duket më mirë se diçka perfekte. Ne presim që sonte gjuha jonë teatrale të kuptohet dhe energjia që ne kemi në shfaqje të kalojë edhe te publiku, shpirti i aktorëve dhe performanca jonë të jetë e pranuar dhe mirëkuptuar nga audienca, ky edhe është qëllimi i çdo aktori”, shtoi ai.
Kujtojmë se nata e tretë e festivalit “PITF” 2018, mbrëmë solli shfaqjen nga Italia, “Rrëfimi”, të regjisorit dhe aktorit, Alfredo Traversa e cila u mirëprit jashtëzakonisht mirë nga publiku.
Edicioni i dytë i Teatrit Ndërkombëtar të Prishtinës, PITF 2018, do të vazhdojë deri më 05 dhjetor në teatrin “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB.