Koalicioni i organizatave joqeveritare i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), shënoi Ditën e Kushtetutës, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast, Koalicioni i organizatave joqeveritare nderoi me mirënjohje ish-kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani.
Menaxherja e programit të IKD-së, Arita Krasniqi, theksoi rëndësinë e ndërtimit të një shteti funksional dhe demokratik, ku drejtësia është në themel.
“Kjo ditë nuk është thjesht përkujtim i një akti normal, është një reflektim për demokraci dhe liri. Është një ditë që kujton se liria dhe demokracia nuk janë rezultat vetëm i një lufte, por edhe i një angazhimi për të ndërtuar një shtet demokratik dhe funksional. Sot është jetike që në themelimin e vendit të veprohet me drejtësi dhe demokraci. Në këtë ditë të shënuar do të nderojmë një figurë të shquar. Gjykata Kushtetuese ka pasur ndikim në zhvillim dhe ruajtjen e balancës për të mbrojtur lirinë dhe të drejtat e njeriut”, tha Krasniqi.
E ngarkuara me punë e Ambasadës të SHBA-së në Kosovë, Anu Parttipati, tha se Kushtetuta e Kosovës është një dëshmi e përkushtimit ndaj demokracisë dhe të drejtave themelore.
“Kjo është një ditë që jo vetëm përkujton një moment vendimtar në historinë e Kosovës, por gjithashtu shërben si një kujtesë për rrugëtimin e vazhdueshëm drejt drejtësisë, barazisë dhe lirisë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Kushtetuta e Kosovës qëndron si një dëshmi e përkushtimit tuaj ndaj demokracisë dhe shpalljes së lirive themelore. Ajo është një dokument i gjallë që mishëron vlerat që e udhëheqin këtë shtet. Kushtetuta juaj është një udhërrëfyes drejt një shoqërie, ku të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh etninë apo prejardhjen e tyre, kanë të drejta dhe mundësi të barabarta. Një pjesë e rëndësishme e arsyes pse jemi këtu sot është për të nderuar një person që ka pasur një rol thelbësor në realizimin e kësaj dite dhe në forcimin e sistemit gjyqësor të Kosovës – znj. Gresa Caka-Nimani. Jam veçanërisht krenare që jam këtu sot për ta nderuar atë, sepse ndiej që Ambasada ka pasur një rol të rëndësishëm në përgatitjen dhe përvojën e saj që e ka sjellë në këtë moment të rëndësishëm” , tha Parttipati.
Tankut Soykan, shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, vuri në dukje përparësinë e instrumenteve ndërkombëtare mbi ligjet kombëtare dhe rolin që luan Kushtetuta në përputhje me standardet evropiane.
“Në emër të Këshillit të Evropës, dëshiroj të shpreh mirënjohjen tonë të sinqertë për përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve tuaja në avancimin e këtyre shtyllave thelbësore të qeverisjes demokratike dhe të njohë rolin e rëndësishëm që luan Kushtetuta e Kosovës në formësimin e një shoqërie të drejtë dhe të barabartë. Kushtetuta e Kosovës nuk është thjesht një dokument ligjor. Ajo është një dëshmi e gjallë e parimeve të barazisë, drejtësisë dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor. Përmes përfshirjes së instrumenteve kyçe të Këshillit të Evropës, Kosova ka treguar përkushtimin e saj për t’u harmonizuar me standardet evropiane për të drejtat e njeriut. Sipas Kushtetutës së Kosovës, instrumentet juridike ndërkombëtare kanë përparësi ndaj legjislacionit kombëtar, duke ofruar garancinë se Gjykata Kushtetuese do t’i marrë vendimet e saj në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut të përcaktuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në jurisprudencën e saj”, tha Soykan.
Ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, shprehu krenari për kontributin e saj në forcimin e Gjykatës Kushtetuese dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile për të përfaqësuar Kosovën me profesionalizëm dhe dinjitet.
“Do ta mbaj si shenjë kujtimi të një pune të palodhshme, bindje të thellë dhe përkushtim, që tashmë më ka marrë edhe malli. Do ta mbaj si shenjë kujtimi për nderin dhe privilegjin që i kam shërbyer vendit tim. Të gjitha rezultatet dhe të arriturat janë përkushtim ekipor, prandaj ky shënim është reflektim i një pune të përbashkët brenda një ndërtese modeste, por me mure që mbajnë peshën që ka. Kemi avancuar mekanizmat dhe efikasitetin, në bashkëpunim me shoqërinë civile, kemi rritur bashkëpunimin, duke përfaqësuar republikën tonë me dinjitet dhe profesionalizëm. Bashkë kemi kaluar çdo sfidë dhe kemi festuar çdo sukses për të arriturat e Gjykatës”, tha Caka-Nimani./Ekonomia Online/