Më 3 mars të vitit 1982, Lutz Eigendorf shkeli në fushën e blertë të stadiumit “Santiago Bernabeu”, ndërsa kishte të veshur fanellën e Kaiserslauternit me numrin 3 në shpinë.
Por, ai nuk e dinte se kishte vetëm edhe një vit për të jetuar, ndonëse dyshonte se ishte në rrezik.
Ai ishte një i arratisur nga Gjermania Lindore, por jo i arratisur i thjeshtë.
Eigendorf kishte qenë yll i klubit Dynamo Berlin. Vlerësohej lojtari më i mirë që kishte lindur në Gjermani Lindore dhe ishte i preferuari i Erich Mielkes, kreut të policisë shtetërore famëkeqe të Gjermanisë Lindore të njohur si Stasi, shkruan gazeta “Marca” të martën, transmeton Koha.net.
Për Mielken, rasti i Eigendorfit ishte fyerje personale, tradhëti dhe një rast që e çmendte veçanërisht.
Në mesin e agjentëve dhe komanduesve të Stasit, ekzistonte fraza e famshme: “Mos e harroni Eigendorfin”.
Ishte një frazë që Mielke shpesh e përdorte në korridore dhe takime në selitë në Berlin.
Tre vjet para se Eigendorf të vizitonte Bernabeun, kapiteni i Dynamos shfrytëzoi një miqësore në Kaiserslautern për të ikur. Nga ai moment, emri i tij ishte lartë në agjendën e Stasit.
Si rezultat, Eigendorf nuk mori pjesë në dy ndeshjet kualifikuese të Kupës UEFA, që Kaiserslautern i luajti para se të përballej me Real Madridin në Bernabeu. Shorti deshi që klubi gjerman të duhej të vizitonte Sofjen dhe Moskën, dy qytete ku agjentët e Stasit kishin përkrahje nga shërbimet sekrete CSS dhe KGB.
Stasi shpejt lokalizoi Eigendorfin në anën tjetër të Murit të Berlinit dhe bëri gati një plan. Eigendorf kishte vendosur të jetonte në Braunschweig.
Lojtari, që la bashkëshorten dhe vajzën në anën tjetër të murit, kishte shprehur shqetësimin disa herë se mund të kidnapohet apo të pësojë edhe më keq.
Më 7 mars të vitit 1983, Eigendorf me veturën e tij Alfa Romeo GTV6 ishte përplasur mbi një dru duke u kthyer në një kthesë në të djathtë në zonën Kerum rreth orës 23:00. Ai po kthehej në shtëpi nga një klub ku ishte vizitor i rregullt.
Testet e para treguan një nivel të lartë të alkoolit në gjak, që ndezën alarmin, pasi ata që ishin me të thanë se ishte e pamundur që pija që piu do të ndikonte në vlera të tilla dhe për më tepër Eigendorf kishte një orë mësimi për pilot në ditën tjetër.
“Ai u vra nga Stasi”, ishte besimi i Norbert Thinesit, presidentit të Kaiserslauternit, që gjithmonë i qëndroi kësaj teorie.
Pas rënies së Murit të Berlinit, dokumentet e Stasit u shfaqën dhe pak a shumë konfirmonin dyshimet. Dukej se te Stasi iu ishte sosur durimi pas një interviste që Eigendorf kishte dhënë për një radiostacion perëndimor.
Në vitin 2010, Karl-Heinz Felgner u paraqit në një gjykatë në Duesseldorf, duke pranuar se ishte bashkëpuntor për Stasin dhe tha se kishte urdhra për të vrarë Eigendorfin dhe kjo ishte edhe arsyeja pse Felgner, ish-boksier i peshës pendël, ishte bërë shok me Eigendorfin.
Hetimet quan te një helmin i mundshëm nga një substancë nëpërmjet lëkurës, ndërsa po ashtu nuk është përjashtuar mundësia që ndonjë veturë tjetër të ketë goditur atë të Eigendorfit dhe ta shtynte drejt drurit.
Në ndeshjen në “Bernabeu” kundër Real Madridit, Eigendorf pësoi me Kaiserslauternin 3:1. Por, Kaiserslauterni fitoi 5:0 ndeshjen e kthimit, në të cilën mbeti me tetë lojtarë që nga minuta e 66-të.