Drita premton ndeshje të madhe ndaj Legias

Prishtinë | 29 Gus 2024 | 08:47 | Nga Ekonomia Online

Futbollistët e Dritës e kanë parasysh se kalimi në fazën grupore të Ligës së Konferencës do t’iu hapte shumë dyer për të ardhmen. Por e dinë gjithashtu se pa angazhim nuk mund ta kalojnë pengesën e fundit drejt paraqitjes së parë në grupet e garës së tretë të UEFA-s për nga niveli.
Për të siguruar kalimin tutje, Dritës i duhet ndeshje e madhe përballë Legias së Varshavës, që fitoi 2:0 si nikoqire.

Ndeshja e dytë e plejofit të Ligës së Konferencës mes Dritës dhe Legias polake zhvillohet të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ndeshja zhvillohet nga ora 20:00.

Portieri i Dritës, Faton Maloku, u lavdërua pas paraqitjes ndaj Legias javën e kaluar. Ai thotë se do të mundohet ta ndihmojë ekipin e tij edhe në ndeshjen në Prishtinë.

“Do të jetë ndeshje shumë e vështirë, por besojmë në ekipin tonë. Qëndrojmë pozitivë dhe nuk jemi dorëzuar. Me pak fat dhe me shumë angazhim mendojmë se mund ta arrijmë kalimin tutje”, ka thënë Maloku.

Maloku pret përkrahje masive nga tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri”.

“Mbështetja e shikuesve është e mirëseardhur për ne. Përkrahja e tyre në këtë moment na duhet si kurrë më parë. Prandaj uroj që ta kemi stadiumin të mbushur dhe në fund të festojmë së bashku”, është shprehur Maloku.

Rreth 7 mijë bileta janë shitur deri tash për ndeshjen ndaj Legias.

Përkrahje nga tribunat pret edhe mbrojtësi me përvojë, Egzon Bejtullai. Megjithatë, ai thotë se për të kaluar tutje u duhet ndeshje gati e përkryer ndaj ekipit polak.

“Sigurisht se përkrahja e tifozëve gjithmonë na jep motiv edhe më të madh, sepse tifozëria gjithnjë është lojtari i 12-të i ekipit. Shpresoj të vijnë në numër sa më të madh për të na përkrahur dhe do Zoti që në fund t’i gëzojmë, sepse e meritojnë gjithnjë”, ka thënë Bejtullai.

Ai pranon se pa angazhim, kalimi në grupet e Ligës së Konferencës mbetet vetëm ëndërr.

“Mendoj se nuk ka rastësi në futboll, duke ditur se Drita ka një ekip shumë të mirë. Edhe në ndeshjet që kemi zhvilluar kemi treguar futboll të mirë. Futbolli është i bukur dhe gjithnjë ka befasi. Do të japim gjithçka nga vetja për të arritur rezultat pozitiv dhe të kalojmë tutje”, ka theksuar Bejtullai.

Drita, nga Legia e Varshavës ishte eliminuar edhe në edicionin 2020/21, por në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Atëbotë për shkak të situatës me koronavirus ishte zhvilluar vetëm një ndeshje.

Skuadra gjilanase ka bërë përvojë në garat evropiane. Është pjesëmarrëse prej edicionit 2018/19, kurse me plot sukses është përballur edhe me skuadra të mëdha si Viktoria Plzen, Antwerp, Feyenoord e Malmo. Megjithatë, është eliminuar nga të gjitha këto skuadra.

Lojtarët e Dritës vlerësojnë se në shumë raste ua ka kthyer edhe fati shpinën, sidomos në ndeshjet evropiane. Fati nuk ishte në anën e tyre as javën e kaluar në Varshavë. Drita, e cila e humbi 2:0 ndeshjen në Varshavë, nga minuta e 31-të luajti me një lojtar më pak në fushë.

Kapiteni Rron Broja uron ta kenë në anën e tyre fatin të enjten mbrëma në Prishtinë.

“Do të jetë ndeshje shumë e vështirë. Por ne jemi optimistë. Duhet të japim maksimumin për të kthyer rezultatin në favorin tonë. Në këtë ndeshje na duhet fati dhe një ndeshje e përkryer për t’u kualifikuar. Tifozët do të jenë motiv shtesë për ne”, ka thënë Broja.

Skuadrat e tjera kosovare tashmë janë eliminuar nga Evropa.

Të ngjashme