E hëna e 25 shtatorit është shpallur ditë zie shtetërore nga presidentja Osmani. Kjo është bërë për të nderuar policin e Kosovës që u vra dje në krye të detyrës në fshatin Banjskë të Zveçanit, raporton EO.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e hënë, 25 shtator 2023, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të vendit. Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së hënë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e djeshëm të Presidencës.
Dje në Zveçan, disa persona të armatosur kanë sulmuar policinë e Kosovës, duke e lënë të vdekur një polic, një të plagosur dhe dy të lënduar.
Pas përgjigjes së Policisë, përfshirë njësitet speciale kundër sulmuesve të armatosur rëndë, të barrikaduar në Manastirin e Banjskës dhe përreth tij, së paku tre sulmues janë vrarë, ndërss në prangat e policisë kanë rënë gjashtë persona. Po ashtu, janë duke u verifikuar pelegrinët që ndodheshin brenda manastirit, pasi dyshohet se në mesin e tyre mund të jetë “fshehur” dhe ndonjë sulmues.
Me këtë rast janë konfiskuar një sasi e madhe e armatimit, përfshirë granata dhe zolla, si dhe disa automjete.
Sulmet ndaj policisë kanë ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së dielës (24 shtator), rreth orës 03:00 në fshatin Banjskë.
Rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, nga fshati Samadrexhë i komunës së Vushtrrisë, vdiq nga plagët e marra në sulm, konfirmuan autoritetet.
Sipas tyre, njësitë policore vunë re në orët e para të së dielës vendosjen e dy kamionëve pa targa në urën në hyrje të fshatit Banjskë, të cilët kishin bllokuar lëvizjen.
Njësitë që shkuan në vendin e ngjarjes, u qëlluan me armë zjarri, përfshirë zolla dhe granata, dhe njëri prej policëve u vra.
Autoritetet thanë se sulmuesit – rreth 30 syresh – ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij.
Ata shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së diel.
Në orët e mbrëmjes, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar.
“I gjithë territori i vendit është vendosur nën kontroll”, tha Sveçla, por nuk tha nëse personat e tjerë të armatosur, janë larguar.
Të vdekur kanë mbetur edhe tre nga sulmuesit e serb, janë arrestuar dy sulmues dhe katër persona të dyshuar të cilët ishin hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve, e të cilët dyshohet se ndërlidhen me grup terroristë.