Komuna e Vushtrrisë ka përgatitur një varg aktivitetesh kulturo-sportive të cilat do të zhvillohen përgjatë javës në kuadër të festës tashmë tradicionale “Ditët e Diasporës”, raporton Ekonomia Online.
Të martën, aktivitetet vazhduan me ngjarjen sportive që u zhvillua në qendër të qytetit.
Ky aktivitet sportiv është gara në “Street Ball”, ku katër ekipe po garojnë mes vete me eliminim direkt para një numri të konsiderueshëm të qytetarëve e dashamirë të basketbollit.
“Ditët e Diasporës” nisën mbrëmë me një program kulturor-artistik kushtuar bashkatdhetarëve.
I organizuar nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, manifestimi qendror kushtuar diasporës vushtrriase u hap me këngë shqipe e valle tradicionale interpretuar nga Ansambli “Hasan Prishtina”.
Mirënjohje janë ndarë për mërgimtarët vushtrrias që kanë kontribuar në çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.
“Mirënjohje, respekt dhe falënderim diasporës”, tha i pari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, që hapi manifestimin “Ditët e Diasporës”.
Aktivitetet në kuadër të “Ditëve të Diasporës” do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim. Sot u hap ekspozita nga Safet Rexha, ndërsa të mërkurën do të ketë film dhe ekspozitë nga Burim Haliti. Manifestimi tradicional do të përmbyllet të enjten me koncert nga Elita 5.