Ditët e Presidentes e Kryeministrit si tifozë të flaktë në Paris, aty ku është vëmendja e të gjithëve

Prishtinë | 30 Kor 2024 | 18:17 | Nga Ekonomia Online

Vjosa Osmani dhe Albin Kurti u shndërruan në tifozë në fundjavë, kur nëntë atletët e Kosovës që po e përfaqësojnë vendin në Lojërat Olimpike në Paris nisën garimin e tyre për sukses. Arenës që tërheq miliarda shikues, presidentja dhe kryeministri iu afruan për disa ditë. Shprehën entuziazëm të madh për medaljen e argjendtë të Distria Krasniqit dhe përfaqësimin e mirë të vendit nga atletët e tjerë, pavarësisht se këto momente suksesi meritojnë më së paku duartrokitjet nga politikanët. Pashmangshëm, reagimet e tyre u bënë lajm dhe ata në një formë apo tjetër, u futën në vëmendjen e sportistëve tanë të admiruar në masë. Dhe se politikanët rëndom vrapojnë aty ku është vëmendja, dëshmon fakti se vajzën që e ndoqën nga afër në meçin e saj të parë në Olimpiadë, të dy liderët e shtetit nuk e përmendën më kur humbi në meçin pasues.

Gazeta Express

Franca priti shumë gjatë për këtë ngjarje. Lojërat Olimpike Paris 2024 nisën më 26 korrik. Ato do të zgjasin deri më 11 gusht, me pjesëmarrjen e rreth 7.000 sportistëve.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shkoi në Francë që prej të mërkurës së javës së kaluar. Pas dy ditësh, paraditen e së premtes nga atje u lajmërua edhe kryeministri Albin Kurti.

Të dy krerët e shtetit morën pjesë në ceremoninë solemne të hapjes së Lojërave Olimpike në kryeqytetin francez.

Ata i përcollën nga afër edhe garimet e para të sportistëve kosovarë. Janë nëntë atletë në katër sporte të ndryshme që po e përfaqësojnë Kosovën atje: pesë xhudistë, një boksiere, një sportiste në atletikë dhe dy notarë.

Kurti e përcolli nga afër meçin e parë të Donjeta Sadikut në boks në kategorinë deri në 60 kilogramë të shtunën. Dhe pasi ajo fitoi, nuk ngurroi që në një prononcim për Radio Televizionin e Kosovës ta bëjë edhe një analizë të kësaj përballjeje.

“Boksierja tajlandeze, siç e pamë, kishte një gardh të mbyllur dhe ishte e përqendruar në marrjen e hapësirës për ta shtyrë në kënd boksieren tonë Donjeta Sadiku, mirëpo shumësia dhe saktësia e goditjeve ishin në anën e Donjetës dhe besoj që kjo ishte vendimtare që ajo të fitojë sonte, ku natyrisht, një kontribut fare të vockël e dhamë edhe ne, siç thatë edhe ju, me brohoritjet ‘Kosova, Kosova’ dhe ‘Donjeta, Donjeta’”, tha ai.

Kurti tha se si qeveritarë janë “të interesuar” që ta bëjnë sportin “kulturë në Kosovë, sepse është i rëndësishëm për shëndetin fizik dhe mental”.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Qeveria e Republikës së Kosovës e do sportin, e do sportin për qytetarët. Qytetarët janë duke e dashur gjithnjë dhe më shumë sportin”, tha ai.

Aty për ta përcjellur meçin ishte edhe Osmani, e cila më pas e falënderoi Donjeta Sadikun për emocionet.

“Moment krenarie për vendin fitorja e Donjeta Sadikut”, shkroi në Facebook.

Në një prononcim për RTK-në, Osmani përmendi se “për kokë banori, Kosova është një prej shteteve me numrin më të madh medaljeve”, por edhe se “shumë prej këtyre përgatitjeve janë bërë në rrethana të jashtëzakonshme, në rrethana jo edhe shumë të mira”.

Megjithatë, ajo tha se po rritet mbështetja institucionale për sportin.

“Por çdo ditë e më shumë është duke u rritur përkrahja për sportin në Kosovë, edhe pse duhet të bëhet më shumë”.

Të nesërmen, të dy i përcollën me reagime të vazhdueshme në Facebook luftërat e Distria Krasniqit, xhudistes e cila në Lojërat Olimpike para tre vjetësh fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 52 kg. Këtë herë, ajo arriti ta fitojë të argjendtën.

“Ippon në 30 sekonda! E arta jonë Distria, bravo! Vazhdojmë përpara”, shkroi Osmani menjëherë pasi Distria e fitoi duelin e saj të parë.

Kurti pyeti se si është e mundur.

“Disa ndeshje të xhudos në Paris po zgjasin më shkurt se katër minuta. Ndonjëra rrallë rreth një minut. Njëra prej tyre as një minut, vetëm 39 sekonda! Si është e mundur? Distria Krasniqi, Republika e Kosovës”.

Osmani tha “30”, Kurti “39”, por për të qenë të saktë, ajo e mposhti për 36 sekonda indonezianen Maryam Maharani.

Presidentja vazhdoi duke komentuar fitoret e Distrisë. “Sigurt drejt të artës!”, shkroi pasi ajo e mposhti në çerekfinale edhe izraeliten Gefen Primo.

“Me të artën, drejt së artës. Kosova në finale! Forca Disi!”, reagoi sërish kur Distria Krasniqi triumfoi edhe përballë italianes Odette Giuffrida në gjysmëfinale.

Finalen e humbi, por e fitoi medaljen e argjendtë, për të cilën Osmani e Kurti shkruan sërish.

“Stoike e luftarake! Shkëlqimi i Distria Krasniqit lartësoi flamurin e shtetit tonë në majat më të larta. Kosova është pafundësisht krenare. E argjendta e saj, vërtetë, është me shije ari, sepse Distria do të mbetet përherë kampione që frymëzon një shtet të tërë. Faleminderit Distria, faleminderit Toni!”, shkroi ajo.

Kurti shkroi se si “xhudistja e Uzbekistanit në minutin e fundit të finales i largohej Distrias duke e ruajtur epërsinë minimale gjersa kishte edhe një vërejtje”.

“Jemi krenarë me këtë rezultat që lartëson vendin tonë në sportin elitar botëror dhe e konfirmon që Kosova mbetet Shtet i Xhudos. Të falemnderit Distria për gëzimin dhe shembullin që na jep”.

Të hënën, luftërat e tyre i patën Nora dhe Akil Gjakova. Medalistja e artë e Kosovës befasoi paradite, duke u eliminuar nga gara duke u mposhtur nga mongolja Enkhriilen Lkhagvatogoo në kategorinë deri në 57 kg. Pasdite, vëllai i saj, Akili, u mposht në një luftë për medaljen e bronztë, në kategorinë deri në 73 kg.

Osmani nuk shkroi për ta, siç bëri paraprakisht për Donjeta Sadikun e Distria Krasniqin. Ndoshta edhe për shkakun se atleti dyshohet për dhunë në familje.

Kurti po.

“Akil Gjakova e humbi medaljen e bronztë për pak, e atë të argjendtë edhe për më pak. Mbase kjo është pasojë direkte e shpirtit të tij luftarak dhe dëshirës së madhe për fitore. Ndeshjen e parë e zhvilloi krah për krah, sepse njëkohësisht, me motrën e tij Norën. Përderisa Nora e përmbylli rrugëtimin e saj në Paris 2024, ai fitoi dhe me vazhdoi garat tutje duke mundur dy herë kundërshtarët të cilët ndodhen më lart se ai në ranglistën botërore”, shkroi kryeministri, duke përmendur se ai u eliminua në gjysmëfinale nga numri 1 në botë.

“U eliminua në gjysëmfinale nga numri 1 në botë, pasi që të gjithëve që ishim prezent në Champ-de-Mars Arena na u duk se fitoi me Ippon, por jo edhe referit në tatami. E në betejën e tij për medalje të bronztë, Thembra e Akilit ishte ajo pjesë e sekondës kur një lëvizje fort e qëlluar nuk përmbyllet plotësisht’.

Përkundër eliminimit të tyre, Kurti shkroi: “Akil dhe Nora, vëlla e motër, përgjithmonë jeni kampionët tanë Olimpik”.

Në fund të javës, Osmani u kthye në Kosovë. Paraprakisht, ajo i vizitoi garuesit e Kosovës në fshatin olimpik.

“Kosova është krenare!”, shkroi ajo.

Osmani shkroi edhe sot për Lojërat Olimpike në Paris, në të cilat tha se “Kosova demonstroi shpirt luftarak, profesionalizëm dhe këmbëngulje”.

Pa i përmendur me emër atletët, ajo shkroi se garat e ditëve të fundit nga sportistët e Kosovës ishin “dëshmi e vendosjes së shtetit tonë në majat e sportit botëror”.

“Dje, fati nuk ishte në anën tonë as në garat e xhudos e as në ato të boksit, pavarësisht punës së pareshtur e paraqitjes së jashtëzakonshme të sportistëve tanë”, shkroi ajo.

Tha se po i përcjell nga Kosova garat e atletëve tjerë të vendit në Paris, të cilët tha se duhet “ta dijnë se pavarësisht se a fitojnë medalje apo jo, Kosova është me ta në çdo hap e në çdo sfidë”.

Boksierja Donjeta Sadiku mbrëmë dështoi në përpjekjet e saj për të fituar medalje në Lojërat Olimpike pasi u mposht nga kolumbiania Paola Angie Valdes Pana.

Vajzën që e ndoqën nga afër në meçin e parë, të dy liderët e shtetit nuk e përmendën më.

Nuk dihet nëse është kthyer nga Parisi edhe Kurti. Por ai i ka ftuar mërgimtarët që të mblidhen sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për një aktivitet të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme për ta.

Ndërkohë, sportistë po i vazhdojnë garat. Në kategorinë deri në 63 kg në xhudo, sot garoi Laura Fazliu. 23-vjeçarja u mposht në çerekfinale nga francezja Clarisse Agbegnenou, por do ta vazhdojë pasdite garën për medalje të bronztë.

Edhe notari Adell Shaboviq u paraqit sot në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Ai nuk mundi të kualifikohej në gjysmëfinale në 100 metra stil të lirë.

Në xhudo, në kategorinë deri në 78 kg do të paraqitet edhe Loriana Kuka. Ndërsa në not, na përfaqëson edhe 14-vjeçarja Hana Beiqi.

Të ngjashme