Divorci dhe dashuria në shoqëritë fluide

Prishtinë | 10 Pri 2023 | 11:38 | Nga Afrim Kasolli

Këto ditë mediat të shumta e alarmuan opinionin publik mbi numrin e madh të divorceve që është vërejtur fillimisht në qytetin e Elbasanit, por duke mos lënë anash mbar shoqërinë shqiptare.

Ndërkohë, edhe në Kosovë nuk mund të mohohet fakti se ky trend është në rritje. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës ky fenomen ka lëvizur ndër vite ne këtë mënyrë; në vitin 2014, 1.243 shkurorëzime, në vitin 2015, 1.268 shkurorëzime. Në vitin 2016 -1.110 shkurorëzime. Në vitin 2017-1.072 shkurorëzime, Në vitin 2018-999 shkurorëzime. Në vitin 2019-815 shkurorëzime. Në vitin 2020-1.614 shkurorëzime. Në vitin 2021- 2.160 shkurorëzime.

Pra shihet qartë se dy vitet e fundit ka një dyfishim të rasteve të divorceve edhe në shoqërinë kosovare, në raport me ato paraprake.

Analistë të ndryshëm ndër faktorët e zakonshëm për rritjen e rasteve të këtij fenomeni, kanë përmendur motivet për shkaqe ekonomike, gjendjen e mjerë sociale të familjeve shqiptare si dhe emigracionin gjithnjë e më e të madh të njërit të të rinjve të porsamartuar.

Mirëpo, si në çdo dukuri tjetër sociale edhe në këtë rast nuk ka dyshim se është e vështirë të definohet një faktor si më vendimtari që shpie në ndarjen e çifteve të martuara. Sociologë të ndryshëm, prej se ka filluar të intensifikohet numri i divorceve edhe në shoqëritë perëndimore kanë listuar disa shkaqe si më “përgjegjëse” për këtë dukuri.

Kështu Anthony Giddens, gjatë trajtimit të kësaj teme, në librin e tij të njohur “Sociology” pohon se megjithatë, me rritjen e pavarësisë ekonomike të gruas, martesa është bërë një lidhje partneriteti më pak e domosdoshme nga çka qene më parë. Mundësitë më të mëdha ekonomike të sotme e bëjnë më të lehtë jetesën më vete, në rast pakënaqësie nga martesa. Fakti që divorci në opinion gjithnjë e më pak stigmatizohet është pjesërisht rezultat i këtyre zhvillimeve. Një faktor tjetër i rëndësishëm është prirja në rritje për vlerësimin e martesës në bazë të shkallës së kënaqësisë personale që të ofron. Rritjet në rritje të divorcit duket se nuk tregojnë më aq një pakënaqësi më të madhe nga martesa, sesa një vendosmëri në rritje për ta bërë atë një lidhje që të jep kënaqësi e lumturi.

Kurse fakti se pse shkalla më e lartë e divorceve është pikërisht në vendet nordike dëshmon se megjithatë vetëm faktori ekonomik nuk më mund të jetë arsyeja kryesore e kësaj dukurie. Ngase ato vende dallohen me shkallën më të lartë të mirëqenies sociale dhe ekonomike.

Ndërkaq, Diane Vaughan, në librin “Uncoupling: Turning Points in Intimate Relationships” konstaton psikologjikisht se ky proces zhvillohet nëpërmjet disa fazave. Gjatë hulumtimeve të bëra në shumë raste ajo vuri re, se para se të ndodhte ndarja fizike, kishte ndodhur një ndarje sociale- ku të paktën njëri nga partnerët fillonte një mënyrë të re jetese, zhvillonte interesa të reja, bënte miq të rinj, në një kontekst ku mungonte partneri tjetër. Zakonisht kjo nënkuptonte mbajtjen e fshehtë të shumë gjërave nga tjetri dhe sidomos kur ka filluar një marrëdhënie e re me një tjetër.

Mirëpo, krahas shkaqeve të sipërpërmendura, në shpjegimin e divorceve si fenomen i botës moderne, a mos duhet vallë ta kemi parasysh edhe interpretimin e sociologut të njohur Zygmundt Bauman mbi strukturën sociale, ekonomike dhe psikologjike që po ushtron “moderniteti fluid” mbi qeniet njerëzore? Sipas këtij sociologu, në të librin me të njëjtin titull, nuk mund të mohohet fakti se sot shoqëritë njerëzore i nënshtrohen një presioni të madh për shkak të pasigurisë, paqartësisë dhe rrezikshmërisë. Gjatë interpretimit të kësaj dukurie Z.Bauman, konstaton se “politika e pasigurisë së qëllimshme, e ushtruar nga operatorët e tregjeve të punës ndihmohet e mbështetet (me efektet e veta të përforcuara) nga politikat jetësore, qoftë të adoptuara qëllimisht, qoftë të përqafuara në mungesë të alternativës. Të dyja konvergojnë në të njëjtin rezultat; venitjen dhe tharjen, rrënimin dhe shpërbërjen e lidhjeve njerëzore, të komuniteteve dhe partneriteteve” .

Kështu lidhjet e dikurshme që motivoheshin nga parimet “ gjersa vdekja të na ndajë”, po bëhen gjithnjë e më shumë kontrata të llojit “sa të jetojë kënaqësia”, pra të “përkohshme dhe kalimtare për nga përkufizimi, nga natyra dhe nga impakti pragmatik”, ku ato mund të prishen në mënyrë të njëanshme, sapo “njëri nga partnerët, nuhat me shumë mundësi dhe vlerë më të mirë në mundësinë e shkëputjes nga partneriteti, në vend së të përpiqet ta shpëtojë lidhjen me çdo çmim, sado i pallogaritshëm”. Dhe vazhdon ky teoricien, “lidhjet dhe partneritetet priren të shihen dhe trajtohen si gjera që duhen konsumuar, jo prodhuar, ata jënë subjekte të të njëjtit kriter vlerësimi, si gjithnjë sentet e tjerë të konsumit”.

Afirmimi i kësaj kulture të konsumit edhe në lidhje të tilla, pashmangshëm se ndikon, që më edhe partnerët nuk e shohin si detyrim për ta bërë lidhjen “funksionale”, pra që të “kujdesën që ajo të funksionojë në të mirë dhe në të keq, ‘në pasuri dhe varfëri’, në shëndet dhe në sëmundje, në ditë të mbara dhe mbrapshta, të bëjnë kompromise dhe sakrifica, të krasisin, nëse është nevoja, preferencat e tyre për hir të një bashkimi jetëgjatë. Por në vend të kësaj, çështje bëhet ajo e përfitimit të kënaqësisë prej një produkti të gatshëm për t’u konsumuar; nëse kënaqësia e dhënë nuk përputhet me standardin e premtuar dhe të pritur, apo nëse risia ronitet bashkë më gëzimin, mund të kërkohet divorci, duke cituar të drejtat e konsumatorit dhe Ligjim e të drejtave të konsumatorit dhe ligjin mbi transparencën e tregtisë”.

E këtu nuk duhet harruar faktin për keq perceptimin gjithnjë e më të theksuar për t’i trajtuar kënaqësinë dhe lumturinë si sinonime.

Askush më mirë se Hegeli, nuk e kishte bëre këtë dallim, ku me të parën lidhet vetëm plotësimi i nevojave, kurse e dyta ka të bëjë me vetë-realizmin etik dhe politik të qenies njerëzore. Madje, që në librin “Fenomenologjia e Frymës” mendimtari gjerman, e artikulon njërën nga kritikat më të njohura moderne filozofike kundër hedonizimit dhe jetës së kënaqësive. Kështu në atë pjesë të veprës, ku elaborohet kuptimi i jetës në kërkim të frymës, Hegeli e bënë të qartë, se ajo formë e jetës e cila është vetëm në kërkim të kënaqësive momentale, është e pamundur të plotësohet, bëhet e jo plotë, prandaj edhe në fund pashmangshëm pushtohet nga mërzia dhe ankthi i zbraztësisë. Kurse herët apo vonë ndjekësit e saj bëhen skllevër të dëshirave të tyre, në vend se të jenë zotërues të fatit të tyre. Prandaj, kjo jete e nxitur nga këto pasione ofron vetëm iluzionin e satifaksionit momental, por jo kuptimin duhur të jetës.

Efektet e kësaj kulture që e “hynjëzon” vetëm kënaqësinë konsumeriste momentale, askund pohon Zygmunt Bauman, në një intervistë për gazetën “La Republika” nuk janë vërejtur më shumë, se sa edhe në sferën emocionale të dashurisë. Ajo më nuk shihet siç dikur thoshte Hegeli “ku me anë të saj njëra vetëdije nëpërmjet tjetrës arrin përsëri te vetvetja, esenca e së cilës ishte njohja”, por se tani “tregu e ka ka ndjerë në nevojën tonë të dëshpëruar për dashuri dhe mundësinë për fitime të jashtëzakonshme. Dhe na josh me premtimin se mund të kemi gjithçka pa mundim: kënaqësi pa punë, fitime pa sakrifica, rezultate pa përpjekje, dije pa proces mësimor. Dashuria kërkon kohë dhe energji. Por sot të dëgjojmë ata që duam, t’i kushtojmë kohën tonë për t’i ndihmuar në momente të vështira, duke plotësuar nevojat dhe dëshirat e tyre më shumë se tonat, është shndërruar në diçka sipërfaqësore: blerja e dhuratave në një dyqan është më se e mjaftueshme për të kompensuar mungesën e dhembshurisë, miqësisë dhe vëmendjes sonë. Ne mund të blejmë gjithçka, por jo dashurinë. Nuk do ta gjejmë dashurinë në një dyqan. Dashuria është një fabrikë që punon papushim, njëzet e katër orë në ditë, shtatë ditë në javë”.

Të ngjashme