Frontmeni i grupit Iron Maiden do të përballet me një betejë shumëmilionëshe divorci me gruan me të cilën ishte i martuar gati 30 vjet.
Bruce Dickinson vitin e kaluar është ndarë në heshtje nga Paddy Bowden, nëna e tre fëmijëve të tij, transmeton Klan Kosova.
Procedurat e divorcit nuk kanë filluar, por tash është zbuluar se ylli i heavy metalit është zhvendosur për të jetuar me superfansen e tij Lean Dolci, trajnere fitnesi 15 vjet më e re se ai, në shtëpinë e saj në Paris.
Procesi i divorcit do të përfshijë pasurinë prej 105 milionë euro.
Një burim për gazetën Mirror tha se Lean ka qenë gjithmonë fanse e madhe e Iron Maiden, ndërsa i ka ndjekur ata për rreth 10 vjet. “Ajo dhe Bruce janë afruar shumë gjatë vitit të kaluar – madje i ka takuar edhe fëmijët e tij”.
Në një intervistë të fundit, ai konfirmoi se tashmë jeton në Paris me të dashurën.
Në vitin 2015, karriera pothuajse i përfundoi pasi njoftoi se po luftonte me kancerin e fytit kur kuptoi se kishte dy tumore në gjuhën e tij.
U diagnostifikua me kancer pak para Krishtlindjeve dhe pati trajtim shtatëjavor të kimioterapisë dhe radiologjisë.
Artisti më vonë shkroi për betejën e tij me kancerin në autobiografinë e tij të vitit 2017: “What Does This Button Do?”.
Dickinson më pas i tha revistës Rolling Stone se kanceri ia ndryshoi këndvështrimin e tij për jetën.
Martesa e çiftit hyri në krizë, ndonëse nuk kishin plane të menjëhershme për divorc.
Ndarja ligjore mund t’ia përgjysmojë pasurinë prej 90 milionë funtash (105 milionë euro).
Dickinson theksoi në një intervistë se është përpjekur që jetën familjare ta mbajë jashtë opinionit publik.
Këngëtari mbetet aktiv në turne me grupin e njohur për hitet “Number of the Beast”, “Run To The Hills” dhe “Can I Play With Madness”.
Dickinson – i cili u largua nga grupi në vitin 1993, për t’u bashkuar në 1999 – është i famshëm dhe i dashur për energjinë e tij në skenë, si dhe gamën e gjerë vokale.
Iron Maiden u formuan në Leyton, lindje të Londrës, në vitin 1975, dhe kanë shitur 80 milionë albume. Kanë fituar çmime të shumta, duke u bërë një nga bendet më të suksesshme të muzikës bashkëkohore.