Personi që sot humbi jetën nga orteku i borës në Brezovicë është Arian Daci, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Dacit.
Ekonomia Online ka kontaktuar me Ilir Morinën, kryeshef i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, nga i cili është njoftuar se viktima nga orteku i sotëm në Brezovicë është Arian Daci.
“Po, ka vdekur një person, Arian Daci, djali i Nexhat Dacit”, ka thënë ai.
Identitetin e viktimës e kanë konfirmuar dhe disa burime të tjera.
Arian Daci ishte zëvendësministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike.
Federata Skitare e Kosovës ka njoftuar se ka marrë informacion nga Qendra e Skijimit në Brezovicë se ka rënë një ortek në vendin e quajtur “Folea e Shqiponjës” dhe dy të rinj fatkeqësisht kanë qenë duke skijuar në këtë vend.
“Fatmirësisht dy të rinjtë janë gjetur; njëri i gjallë kurse për tjetrin ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore”, thuhej në njoftimin menjëherë pas aksidentit.
Ilir Morina ka treguar se tashmë i ndjeri dhe një person tjetër (me inicialet A.B.) kanë qenë së bashku dhe kanë skijuar jashtë stazës, që sipas tij dhe mund të ketë shkaktuar ortekun.
“Ata kanë qenë në skijim në pjesë ekstreme ku nuk ka pista dhe ka gjasa që ortekun e kanë krijuar vetë”.