Deputeti i Partisë Radikale Serbe (SRS) Aleksandar Sheshel, djali i Vojisllav Sheshelit, kryeradikalit të dënuar nga Gjykata e Hagës për Krime Lufte, ka shkaktuar kaos në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kur i ka ndërhyrë me fjalë fyese kryeministrit kroat Andreja Plenkoviq përderisa ky i fundit i drejtohej Këshillit.
Shesheli junior në stilin e njohur të babait të vet, e ka akuzuar kreun e Qeverisë kroate se po e glorifikon kampin e përqendrimit të Luftës II Botërore në Kroaci, Jasenovac, dhe se i trajton serbët si qytetarë të rendit të dytë.
Kryesuesja e mbledhjes e ka ndërprerë Sheshelin, por Plenkoviqi ka arritur që t’i përgjigjet në mënyrë të ngjashme, raporton TV N1.
“Me sa kuptoj unë, KE lufton për demokraci dhe sundim të së drejtës. Sot para nesh kemi njeriun që e glorifikon Jasenovacin, kampin e përqendrimit për 700.000 serbë, hebrenj dhe romë, liderin e regjimit neonazist në zemër të Evropës që i trajton serbët si qytetarë të rendit të dytë”, tha Shesheli para se ta ndërpresë kryetarja e AP të KE-së, zvicerania Lilian Mari Paskie, duke ia marrë fjalën dhe duke i tërhequr vërejtje për sjellje të pahijshme.
Kryeministri kroat i është përgjigjur shumë ashpër Sheshelit, duke paraqitur fakte për SRS-në, partinë të cilën e formoi babai i tij, Vojisllavi.
“Sa i përket komentit të Sheshelit, mendoj se ai është shembulli gjallë i thënies se dardha nën dardhë bie. Ju e përfaqësojni një parti politike programi dhe statuti i së cilës, e që kjo Asamble Parlamentare duhet ta dijë, përkrah programin e ‘Serbisë së madhe’ që do të përfshinte territore të Bosnjë e Hercegovinës dhe Kroacisë”, tha Plenkoviqi, fjalimi i të cilit u përcoll me duartrokitje.
Diçka të ngjashme Shesheli përgatiti edhe dje, gjatë fjalimit të ministres kroate të Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Maria Pejçinoviq Buriq. Atë e pyeti se kur Kroacia “do t’ua kthejë ‘republikën e krahinës serbe’ njerëzve që kanë ikur nga thika kroate”.