Përderisa inteligjencat e shteteve që ishin liruar nga kthetrat e komunizmit shpejtonin për ta kompensuar të humburën dhe për ta përforcuar identitetin që u ishte zbehur nga trysnia e ideologjisë komuniste, inteligjenca shqiptare, të cilën për arsye objektive e dominonin ata që për shkak të antikomunizmit të tyre kishin pësuar në forma të ndryshme, lirinë dhe pushtetin e shfrytëzuan për të bërë një sy gjumë. Jemi lodhur shumë, thanë, dhe kemi nevojë që t’i kompensojmë vitet pa gjumë. Sakaq, të gjitha kishin rënë në fund: ideali, arsimi, kultura, identiteti, vitet e humbura në burgjet jugosllave, të gjitha. Në krye, si një shpend i fisëm, qëndronte pushteti. Kishte filluar dyzimi midis politikanit dhe hajnit.
Në mbledhjet e elitave politike shqiptare shtjelloheshin vetëm çështjet kadrovike, të tjerat fare s’ishin të rëndësishme. Përmbajtja e re që shqiptarët i kishin dhënë partisë ishte një formulim praktik: partia kuptohej si një derë e hapur për punësim. Heshtja e shoqërisë përballë problemeve që sa vinte e shtoheshin, tregonte se shqiptarët kishin probleme me vetveten. Viktimat e politikës shqiptare, më shumë se viktima të partive, ishin viktima të vetvetes, të një inati vetjak. Kjo, mbase ishte një lëndë e mjaftueshme për studime socio-psikologjike për t’i dhënë përgjigje këtij fenomeni. Disa thanë se kjo ishte pasojë e mbamendjes së varfër të vetë shqiptarëve, e pati edhe të tillë që mendonin se te shqiptarët shpresa vërtet vdes e fundit dhe se ata për çdo ditë zgjohen me besimin se drejtësia sa nuk ka trokitur në derën e tyre. Por, pati edhe nga ata që mendonin se shoqëria shqiptare ishte e varur nga politika dhe se akoma nuk kishte arritur ta zbërthejë “artin” e këtij segmenti shoqëror, e as t’i gjejë përgjigjet adekuate të problemeve të shoqërisë.
Kriza ndër-shqiptare thellohej pamëshirshëm. Ata që ia kishin “shitur” shpirtin djallit, nuk mundën ta sfidojnë tundimin e pushtetit, i cili i bëri të dalin edhe nga vetvetja. Kjo ishte lajthitja më ogurzezë. Rrëfimet urbane që barteshin tinëzisht prej një tavoline në tavolinën tjetër, asnjëherë nuk arritën të depërtojnë te mediumet, të cilat arsyetoheshin se kodi i etikës nuk lejon që të merren me “spekulime”. Në fakt, mbi këto rrëfime mrizonte frika nga keqpërdorimi i mjeteve të pushtetit, ndërsa kjo impononte një “model” të ri të të menduarit: “më mirë të heshtësh sesa të shkosh si qeni n’rrush”.
Pikërisht këtu ishte kulmi i së keqes. Viktimizimi i shpejtë dhe harrimi edhe më i shpejtë i këtyre telasheve, bëri që manipulimi të marrë rolin absolut në shtrirjen dhe funksionimin e elitave tona politike, fushëveprimi i të cilave shtrihej brenda një segmenti, në njërin skaj ishte premtimi dhe në skajin tjetër kopja e atij premtimi, por e mbuluar me gënjeshtra bindëse. Premtimet apo kontratat e panënshkruara që ngelën vetëm si fjalë të bukura fluide, asnjëherë nuk u realizuan, mbase nën presionin e dinamikës së përditshmërisë, ato thjeshtë u harruan. Elitat sunduese, sapo merrnin pushtetin, përmes formave të ndryshme dhe zhdukjes së gjurmëve, i realizonin vetëm ato detyrat që ndërlidheshin me interesat e tyre.
Dyzimi midis politikanit dhe hajnit ishte tepër funksional. Nuk cenoheshin midis vete dhe paraqiteshin varësisht nga rrethanat, duke e mbështetur fort njëri-tjetrin. Edhe sot e kësaj dite vazhdon avazi i njëjtë…