Policia e Kosovës ka arrestuar pronarin e shtëpisë së familjes Koroglu, e cila u përfshi nga zjarri mbrëmjen e 31 tetorit.
Siç njofton policia, në katin përdhese atij i janë gjetur 36 bidonë të mbushur të shënjëzuar me shenjën me materie të rrezikshme, ndezëse.
Pronari i shtëpisë ishte në dijeni për vendndodhjen e ketyre bidonve por përkundër zjarrit të shkaktuar, i njëjti nuk kishte njoftuar policinë apo zjarrfikësit.
“Lidhur me veprën penale ”Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” të ndodhur më 31 tetor 2023, gjatë hetimeve dhe ekzaminimeve të vendit të ngjarjes, në rrugën “Nexhip Dragaj” në Mitrovicë, ku një shtëpi e pabanuar pjesë e trashëgimisë kulturore ishte përfshirë nga zjarri. Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në mbështetje të ekspertit të zjarreve gjatë ekzaminimit në katin përdhese të shtëpisë kanë hasur tridhjetë e gjashtë (36) bidon të mbushur të shenjëzuar me shenjën me materie të rrezikshme-ndezëse. Për largimin e këtyre bidonëve janë angazhuar edhe njësi të specializuara për trajtimin e materive të rrezikshme nga Forca e Sigurisë së Kosovës. Bazuar ne hetimet fillestare, bëhet e ditur se pronari i shtëpisë ishte në dijeni për vendndodhjen e këtyre bidonëve ku përkundër zjarrit të shkaktuar, i njëjti nuk kishte njoftuar policinë apo zjarrfikësit”.
“Për të gjitha veprimet e ndërmarra hetimore është njoftuar prokurori, i cili ndaj pronarit të shtëpisë A. K., 76 vjeçar, ka lëshuar aktvendim per ndalim 48 orës, si i dyshuar për veprën penale “Mbajtje e paligjshme e substancave dhe mbeturinave të rrezikshme”, njofton policia.
Kujtojmë se shtëpia e familjes Koroglu gjendet në listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme.