Djemtë e ish-Presidentit Trump dëshmitarë në gjyqin për akuzat për mashtrim me vlerën e pasurive

Prishtinë | 02 Nën 2023 | 09:12 | Nga Ekonomia Online

Kur Donald Trump u bë president në vitin 2017, ai ia kaloi menaxhimin e përditshëm të pasurive të patundshme dy djemve të tij më të mëdhenj, Donald Jr. dhe Eric Trump.

Ndërsa tashmë familja Trump po lufton për të ruajtur biznesin e familjes, dy vëllezërit pritet të dëshmojnë në procesin gjyqësor nën akuza për mashtrim në Nju Jork, që rrezikon të ardhmen e Organizatës Trump.

Donald Trump Jr. ka dëshmuar të mërkurën dhe Eric Trump pritet të dëshmojë të enjten, duke shënuar kështu një fazë të re në muajin e dytë të gjyqit në Nju Jork të filluar nga padia e prokurores Letitia James.

Prokurorja James, e zgjedhur në këtë detyrë si kandidate demokrate, akuzon ish-Presidentin Donald Trump, kompaninë e tij dhe drejtuesit, ndër ta edhe Eric dhe Donald Trump Jr., se ekzagjeruan në bashkëpunim vlerën pasurisë prej miliarda dollarësh në deklaratat financiare të dërguara bankave, siguracioneve dhe të tjerëve, me qëllim sigurimin e kredive favorizuese dhe arritjen e marrëveshjeve të biznesit.

Zoti Donald Trump, ish-president dhe patriark i familjes, si dhe kandidati kryesues republikan për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, pritet të dëshmojë të hënën, i pasuar më 8 nëntor nga dëshmia e vajzës së tij të madhe, ish-drejtuesja e Organizatës Trump dhe ish-këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë, Ivanka Trump. Në vazhdim, pritet që avokatët mbrojtës të kenë shansin për të thirrur dëshmitarët e tyre.

Të ngjashme