Demokracia në Veprim ka publikuar disa rekomandime për zgjedhjet lokale të 17 tetorit të këtij viti. Në konferencën e tyre për medie, u kërkua që partitë politike të bëjnë koalicione parazgjedhore dhe jo pazare politike. Po ashtu, u tha se presidentja Vjosa Osmani, duhet të emëroj sa më shpejt dy anëtarët e mbetur të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pasi sipas tyre po cënohet e drejta e Grupeve Parlamentare, raporton Ekonomia Online.
Eugen Cakolli nga DnV, ka thënë se partitë politike duhet të dalin me platforma reale dhe jo me shabllone.
“Demokracia në Veprim synon rekomandime që do të ndikonte në procesin zgjedhor. Së pari kemi përfundimin e parakohshëm të mandateve të kryetarëve dhe problem tjetër janë çështja e balotazheve dhe shpesh herë kanë qenë pika ku janë bërë bashkë kandidatë dhe janë vënë kundër tjetrit. Subjektet politike do të duhej të arrinin marrëveshje parazgjedhore dhe të jenë koalicione parazgjedhore e jo pazare politike. Fushata është e orientuar te kandidati për kryetar të komunës. Çështje tjetër është fillimi i aktivitetit të fushatës. Shpenzimet më të mëdha bëhen që nga shpallja e zgjedhjeve. Platformat në të shumtën e rasteve janë deklarata politike shabllone. Ne si Demokraci në Veprim rekomandojmë së subjektet politike të mos përdorin resurse për qëllime të fushatës. Sa i përket menaxhimit të zgjedhjeve shumica e parregullsive janë si rezultat i trajnimeve jo cilësore të komisionarëve. Ne bëjmë thirrje që presidentja Osmani të emërojë dy anëtar të mbetur për KQZ”.
Ndërsa, Rrezarta Krasniqi, tha se duhet të u jepet më shumë hapësirë grave në fushata zgjedhore.
“Në listat zgjedhore vlerësohen vetëm 30% gratë. Po ashtu ekziston edh mungesa e hapësirës në fushatë zgjedhore dhe pjesëmarrëse gra në fushata janë vetëm 10%. Del që integrimi i grave është në mungesë për avancimin e tyre. Dhe po ashtu kufizimi buxhetor dhe nuk e kanë të ndarë në bazë gjinore. Pjesa tjetër alarmante është pjesëmarrja e grave në fushata zgjedhore edhe pse synojmë të jetë 50% ende është 30%. Të gjitha rekomandimet nga Demokracia në Veprim të emërojnë sa më shumë gra për komuna.
Gjithashtu edhe, Mexhide Demolli, tha se mediet duhet t’i ofrojnë mbulueshmëri më të madhe grave kandidate.
“Skema mediale mbetet jo në funksionim të mirëfilltë. Kjo vjen nga ndërhyrja politike. Problemi kryesor i medieve vazhdon të jetë mos ofrimi i hapësirës për përfaqësim të barabartë për gratë. Rrallë herë ka pasur gra kandidate që kanë mbajtur fjalime. Edhe tek mediet kemi disa rekomandime dhe të bëhet monitorim sistematik. KPM duhet të monitorojë subjektet politike. KPM duhet t’i njoftojë me kohë mediet nga ligjet që përcaktojnë fushatën parazgjedhore. Për një shkelje të njëjtë është dënuar një Televizion 2000 ndërsa një tjetër 3000. Kërkojmë nga mediet që të ofrojnë një mbulueshmëri më të madhe për gratë. Dhe të promovohen më shumë gratë”.
Fjalimi i plotë:
Sot, rrjeti i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” (DnV) mbajti një konferencë për media gjatë së cilës u publikua një vlerësim ex-ante i zgjedhjeve lokale të 17 tetorit. Qëllimi i këtij adresimi sipas DnV-së është që të nxitet një klimë diskutimesh në publik lidhur me çështjet që duhet të adresohen në prag të zgjedhjeve.
Modeli i fushatës zgjedhore, të cilin e kemi hasur zakonisht në zgjedhjet lokale ka favorizuar kandidatin për kryetar të komunës, duke anashkaluar kandidatët për kuvendet komunale. Fillimi i aktiviteteve të fushatës zgjedhore para fillimit zyrtar të saj ka krijuar përparësi konkurruese të disa subjekteve, në kundërshtim me frymën e garës së barabartë zgjedhore. Po ashtu, fillimi i parakohshëm i fushatës po u ka mundësuar subjekteve të caktuara që t’i shtrembërojnë shpenzimet reale, duke raportuar vetëm ato të bëra gjatë fushatës zyrtare, që paraqesin vetëm majën e ajsbergut. Përveç periudhës së parafushatës, financimi dhe deklarimi i shpenzimeve mbeten çështje problematike edhe gjatë fushatës. Kandidatët në garë zgjedhore lokale, në mungesë të detyrimit ligjor, nuk kanë publikuar të hyrat dhe shpenzimet e tyre gjatë fushatës, duke cenuar transparencën e procesit dhe parimin e garës së barabartë zgjedhore.
Karakteristikë e diskursit të fushatës zgjedhore ka qenë riciklimi i premtimeve nga zgjedhjet paraprake për tema që shpesh nuk janë fare në kompetencë të komunave. Platformat në të shumtën e rasteve, përveç që publikohen shumë vonë, janë më shumë deklarata politike shabllone sesa ofertë serioze për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. Po ashtu, kandidaturat zakonisht sillen vetëm rreth të parit të komunës duke mos ofruar asnjë informatë lidhur me ekipin apo kabinetin qeverisës që do të përfshihet në zbatimin e këtyre platformave. Në anën tjetër, korrupsioni zgjedhor, i shpërfaqur përmes përdorimit të resurseve publike për qëllime të fushatës, ka qenë një prej fenomeneve më negative të zgjedhjeve. Kjo është tipike për pjesën më të madhe të komunave, por në raste të caktuara evidentohet mobilizim i resurseve shtetërore në funksion të fushatës së kandidatëve të partisë në pushtet.
Pjesëmarrja e grave duket të jetë gjithnjë e më simbolike në proces zgjedhor, e manifestuar përmes deficitit të kuadrove të grave në lista zgjedhore – sidomos si bartëse të listave – por edhe hapësirës dhe mbështetjes financiare që grave kandidate u ofrohet gjatë fushatës. Në të gjithë historikun e zgjedhjeve lokale në Kosovë, vetëm një grua ka arritur të zgjidhet kryetare e komunës në vitin 2013, ndërsa numri i kandidaturave të grave është shumë simbolik, me mesatarisht vetëm pesë gra kandidate në 100 kandidatë. Edhe si bartëse të listave, gratë janë të përfshira minimalisht. Në dy palë zgjedhjet e fundit, vetëm rreth 40 gra kanë qenë bartëse të listave, nga qindra bartës sa ka pasur gjithsej. Nënpërfaqësimi i grave është evident edhe në trupat menaxhuese të zgjedhje, ku subjektet politike ende mbeten larg zotimeve të tyre për përfshirje të grave në shkallën prej 40%.
Mediat tradicionale dhe ato sociale, janë shndërruar ndër format kryesore të të bërit fushatë, posaçërisht gjatë proceseve të fundit zgjedhore. Sidoqoftë, si rezultat i mosrespektimit në nivel të duhur të rregullativës ligjore, mediat shpeshherë shërbejnë si instrumente të promovimit partiak.
Në aspekt të menaxhimit të zgjedhjeve, KQZ ka shënuar përmirësime të ndjeshme. Megjithatë, shumica e parregullsive të evidentuara gjatë procesit të votimit janë rezultat i trajnimeve jocilësore dhe joadekuate të komisionerëve. Si rezultat i trajnimeve të tilla, sidomos në raport me procesin e numërimit, kemi një përqindje të madhe të vendvotimeve të cilat rinumërohen sërish. Po ashtu, puna e KQZ-së është shoqëruar nga politizimi i diskutimeve, që ka shkaktuar pengesa në mbarëvajtjen e punës së saj.
Duke u bazuar në këto vlerësime ex-ante të zgjedhjeve të 17 tetorit, DnV ofron rekomandimet kyçe si vijon:
Subjektet politike të arrijnë marrëveshje dhe koalicione parazgjedhore në mënyrë që kandidaturat të jenë rezultat i koalicioneve programore e jo të bazuara në pazare pas raundit të parë zgjedhor;
Subjektet politike, sidomos ato që kanë pushtet në nivelin qendror apo atë lokal në komuna të caktuara, të mos përdorin resurset publike për qëllime të fushatës;
Subjektet politike të ndërtojnë platforma të qarta e konkrete për adresimin e problemeve të qytetarëve, dhe t’i publikojnë ato në formate të shkruara apo online;
Kandidatët t’i paraqesin të hyrat dhe shpenzimet e tyre të fushatës në kohë reale, si vlerë e shtuar e procesit.
Subjektet politike t’u ofrojnë grave më shumë mundësi kandidimi si bartëse të listave, si dhe për si kandidate për pozitën e kryetarit të komunës;
Subjektet politike të mos mjaftohen me përmbushjen e kriterit minimal ligjor prej 30% për kandidimin e grave për kuvendet komunale, por të avancojnë drejt aplikimit të modelit “zebër” në listat e kandidatëve, ku çdo i dyti kandidat është i gjinisë tjetër;
Subjektet politike të ofrojnë përkrahje të barabartë financiare për të gjithë kandidatët, dhe t’a bëjnë transparente mënyrën e shpërndarjes së tyre sidomos për kandidatet gra;
Trajnimet për anëtarët e KVV-ve duhet të jenë më cilësore, duke i testuar në mënyrë më rigoroze njohuritë e fituara të komisionerëve. Përmbajtja e trajnimeve duhet të reflektojë edhe seriozitetin e problemeve në elemente të caktuara, sidomos në numërim dhe plotësim të formularëve të rezultateve. Gjithashtu, KQZ të krijojë “lista të zeza” të komisionerëve bazuar në performancën e tyre;
Subjektet politike t’i përmbahen zotimit të tyre për përfshirje të grave në nivelin prej 40% në trupat menaxhuese të zgjedhjeve, e madje t’a avancojnë këtë përfshirje në proporcionin 50-50%;
Komisioni i Pavarur i Mediave të bëjë monitorimi sistematik i mediave gjatë fushatës zgjedhore lidhur me respektimin e rregulloreve në fuqi. KPM të monitorojë aktivitetin e subjekteve politike edhe në rrjete sociale.