Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” (DnV) bën të ditur se deri në orën 12 kanë votuar 13% e qytetarëve me të drejtë vote.
Gjatë procesit zgjedhor janë vërejtur tentativa për votim të dyfishte, blerje të votës, fotografimi i votës, votim familjarë, duke iu cenuar grave të drejtën për të qenë vetë gjatë votimit.
Ismet Kryeziu, nga Demokracia në Veprim, tha se gjatë procesit të votimit janë vërejtur një varg pengesash e shkeljesh.
“Kemi pasur 59 raste për votime të dyfishta. Komunat që prijnë me tentativa të dyfshita janë Gjilani, Peja dhe Skenderaj”, tha Kryeziu.
Ai tha se ka pasur edhe vështirësi në identifikimin në lista. Sipas Kryeziut, tha se ka pasur tentativat për të ble votën ka ndodhur në fshatin Zhegër.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e votës.
“Kërkojmë nga qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të marr pjesë në zgjedhje”, tha Kryeziu.
Këto janë disa nga shkeljet e konstatuara nga DnV:
Në shkollën “Agim Ramadani”, në qendrën e votimit 0409D në fshatin Zhegër të Gjilanit disa persona janë parë në afërsi të vendvotimit duke shpërndarë material propagandistik dhe duke dhënë para për votuesit. Rasti është raportuar në Prokurori nga DnV-ja dhe Prokuroria e Shtetit është duke verifikuar informatat.
Në Fakultetin Filologjik në qendrën e votimit 1906E në disa vendvotime tek libri i kandidatëve për deputet i cili gjendet në kabinën e votimit, në libër janë gjetur kartvizita me emra nga kandidatët e koalicionit PDK-AAK-NISMA etj.
Në shkollën “Tre Dëshmorët”, në qendrën e votimit 1632A, në komunën e Rahovecit nga vëzhguesit po vërehet një numër i personave të cilët po deklarojnë rrejshëm që përfaqësojnë organizat të shoqërisë civile dhe parti politike. Ata nuk janë larguar ende nga vendvotimet.
Në shkollën “Azem Bejta”, në qendrën e votimit 2105B në komunën e Skenderaj janë vërejtur persona të paautorizuar të cilët janë larguar nga qendra e votimit, pasi që monitoruesit evropian kanë qenë të pranishëm. Këta persona të paautorizuar janë rikthyer pas largimit të monitoruesve evropian.
Në qendrën e votimit 3603D në vendvotimin 02R, në komunën e Parteshit, dy persona kanë votuar me letërnjoftim të Serbisë. Të njëjtit janë lejuar.
Shtëpia e Gjuetarëve e paraparë si qendër e votimit 2063A vendvotimi 01D, në komunën e Prizrenit nuk është hap fare edhe pse KQZ e ka pas në listë të vendvotimit.
Në shkollën “Meto Bajraktari”, në qendrën e votimit 1925E komisioner kanë lëshuar vendvotimin 02R ata kanë shkuar për të votuar pa ju interesuar procesi.
Në një shkollë në Gjakovë në qendrën e votimit 0225C vendvotimi 03R ka mbetur i mbyllur për më shumë se 20 minuta, të gjithë kanë shkuar në pauzë.
Në Sallën 1 Tetori, në qendrën e votimit 1912E vendvotimi 03R në komunën e Prishtinës ka larguar vëzhguesit nga mbrapa tavolinës së shpërndarjes fletëvotimeve, libri i nënshkrimeve dhe vules. Kjo ka ndodhur në orën 10:00 dhe nuk ka ndonjë informatë pse ka ndodh.
Në shkollën “Gjin Gazulli”, në qendrën e votimit 1918E vendvotimi 04D në komunën e Prishtinës, disa persona kanë hyrë në mënyrë të paautorizuar në vendvotim dhe kanë treguar se si duhet të veprohet.
Në shkollën “Ali Hadri”, në qendrën e votimit 2516D vendvotimi 02D në komunën e Ferizajit një person raportohet të ketë votuar 2 herë ndërsa i njëjti nuk është penguar.
Në shkollë “Hysni Zajmi”, në qendrën e votimit 0606C vendvotimi 01R në komunën e Istogut është mbyll për disa mintuta pasi që një vëzhgues ka kërkuar që të jetë asistent në votim. Ai nuk është lejuar.
Në shkollën fillore “Hivzi Sylejmani”, në qendrën e votimit 1322E vendvotimi 03D në komunën e Lipajnit një person (votues) ka shkarravitur në murin e shkollës numrin e partisë.