DnV: Fushata zgjedhore ka qenë e karakterizuar nga përdorimi i gjuhës nxitëse, fyese dhe të urrejtjesë

| 18 Jan 2025 | 11:20 | Nga

Koalicioni i organizatave jo-qeveritare “Demokracia në Veprim” (DnV) ka mbajtur sot një konferencë për media ku ka paraqitur raportin e saj mbi përdorimin e gjuhës në fushatën zgjedhore të javës që lam pas, raporton Ekonomia Online.

Eugen Cakolli, nga DnV, theksoi se përdorimi i gjuhës së drejtë dhe jo diskriminuese është një nga parimet themelore të fushatës, por sipas tij, kjo javë ka qenë e karakterizuar nga përdorimi i gjuhës nxitëse dhe fyese.

Cakolli theksoi se gjatë monitorimit të 25 aktiviteteve, janë raportuar raste të përdorimit të gjuhës së nxitjes së urrejtjes në baza politike.

“Sa i përket përdorimit të gjuhës së drejt dhe jo diskriminuese, që është një prej parimeve edhe vlerave të një fushate fer, kjo javë është karakterizuar nga e kundërta. Këtë javë kemi pasur ashpërsim të gjuhës së përdorur në fushatë me plotë 25 aktivitete gjatë monitorimit të së cilave janë raportuar raste të përdorimit të gjuhës së nxitjes ose urrejtjes në baza politike. Sipas intensitetit është e qartë që një gjuhë e tillë e shprehur sidomos nga aktivitet e partisë në pushtet, pra Lëvizjes Vetëvendosje, ndonëse edhe në aktivitete e partive të tjera, përfshirë këtu LDK më 10 raste, PDK me 6 raste dhe AAK me dy raste ku është raportuar një gjuhë e tillë nxitës, fyese dhe e urrejtjes”, ka thënë ai, raporton EO.

Gjatë konferencës për media, Cakolli po ashtu njoftoi se kanë monitoruar edhe aktivitetin online të 679 kandidatëve për deputetë. DnV-ja, tha ai, ka identifikuar 50 raste kur të njëjtit kanë qenë shënjestër apo edhe autorë të gjuhës nxitëse e të urrejtjes, por edhe lajmeve të rreme.

E sa i përket komenteve në postimet e kandidatëve, po ashtu është vërejtur gjuhë e urrejtjes në 600 mijë komente të bëra për zgjedhje dhe 7 për qind e komenteve kanë pasur për cak kandidatet gra, tha Cakolli.

DnV-ja po ashtu tha se po vazhdon trendi i mospjesëmarrjes së kandidateve gra në fushatën zgjedhore.

“Sa i përket pjesëmarrje së grave, vlen të përmendet që trendi i mospjesëmarrjes së grave në fushatë, qoftë aktivisht si folëse, por edhe pasivisht si pjesëmarrëse, është mjaft i ulët. Me mbi 60 për qind të aktiviteteve të monitoruara nga DnV ka pasur prezencë minimale të grave që mezi ka arritur 10 për qind të totalit. Sa i përket pjesëmarrjes aktive, gratë kanë përbërë vetëm 1 për qind të fjalimeve të mbajtura, me gjithsej 70 nga 230 fjalime që ne kemi arritur t’i monitorojmë”, tha ai.

Cakolli ka thënë se pjesëmarrja e grave mbetet tejet e ulët, ku në rreth 60% të aktiviteteve është raportuar për pjesëmarrje minimale të grave – vetëm deri në 10% të pjesëmarrësve.

“Sa i përket pjesëmarrjes aktive në garë zgjedhore, vetëm 1/3 e fjalimeve (70 nga 230) janë mbajtur nga gratë. Prezencë njëjtë e ulët e grave është shënuar edhe në media. Nga 258 kronika zgjedhore ku janë paraqitur kandidatët për deputetë, vetëm në 14% prej tyre ka pasur gra. Edhe kohëzgjatja televizive në kronika zgjedhore ka qenë dukshëm më e ulët për gratë në krahasim me burrat. Vetëm 12 minuta apo 9% e hapësirës televizive u është dhënë grave”, ka thënë ai.

Mexhide Demolli-Nimani nga Lëvizja FOL, si pjesë i këtij koalicioni, tha se kanë monitoruar nëntë televizione në gjuhën shqipe dhe dy në gjuhën serbe, ku tha se kanë dominuar subjektet e mëdha politike.

Të ngjashme