Koalicioni i OJQ-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, thotë se është duke i përcjellë me shqetësim ballafaqimet e kandidatëve në debate publike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.
“Liria e fjalës paraqet një ndër liritë fundamentale të njeriut, por e njëjta kufizohet në momentin e cenimit të të drejtave fundamentale të të tjerëve. Gjuha denigruese dhe seksiste e shpërfaqur në debate televizive në mes të kandidatëve, përveç që dëmton rëndë procesin zgjedhor, e minon vlerën e debatit dhe i kontribuon tensionimit të ambientit politik”, thuhet në reagim.
Për më tepër, thuhet aty, dhuna e ushtruar në çfarëdo forme është e pajustifikueshme dhe e papranueshme.
“Aktet e dhunës dëmtojnë kredibilitetin e procesit zgjedhor, krijojnë ambient të pasigurt politik dhe rrezikojnë të nxisin përplasje qytetare”, thuhet tutje në reagimin e DnV.
DnV-ja u bën thirrje kandidatëve të subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit, të përmbahen nga gjuha denigruese e seksiste, sulmet verbale dhe fizike.
“Subjektet politike dhe kandidatët e tyre duhet të kultivojnë vlerat bazike të demokracisë duke treguar pjekuri dhe profesionalizëm në debate dhe duke lejuar konkurrueshmëri të ideve dhe platformave”, thuhet aty.
DnV-ja fton Policinë e Kosovës, që të reagojë shpejt dhe në mënyrë efikase në qartësimin e situatave dhe në informimin e drejtë të publikut.
“Institucionet e sigurisë duhet të garantojnë kushte për fushatë politike të qetë, me mundësi të barabarta për të gjitha subjektet politike për paraqitjen e programeve të tyre zgjedhore”, përfundon reagimi i DnV.