Demokracia në Veprim (DnV) ka vlerësuar se fushata për zgjedhjet e 14 shkurtit është zhvilluar në atmosferë të qetë, raporton Ekonomia Online.
Në konferencën për medie të mbajtur të shtunën, Vetom Mujaj nga DnV-ja ka përmendur mosrespektimin e masave anti-Covid nga subjektet politike.
Ai po ashtu ka thënë se takimet e partive dhe kandidatëve për deputetë s’janë lajmëruar në Komisionet Komunale.
Sipas tij, programet e partive politike s’kanë dalluar nga ato të kaluarat. Ai përmendi edhe përfaqësimin e ulët të grave në emisione televizive.
“Ne kemi përcjellë pjesën kryesore të fushatës dhe mendojmë që ka qenë atmosferë e qetë me një numër të konsiderueshëm të aktiviteteve dhe jo të gjitha kane qenë të lajmëruara në institucione”.
“Mosrespektimi i masave ka qenë evident. Ndonëse shumë organizime kanë ndryshuar formën e tyre, premtimet kanë qenë vazhdimësi e trendeve të mëhershme. Programet politike u publikuan me shumë vonesë, ndërsa pjesëmarrja e grave në aktivitete ka qenë më e ulët se 30 për qind. Pjesëmarrja e grave ka qenë e ulët edhe në media, partitë nuk kanë ofruar përfaqësim të barabartë. Për 10 ditë kemi monitoruar 9 kanale televizive, në spote reklamuese, kronikat zgjedhore, lajmet. Kemi provuar me i përcjellë edhe portalet”, tha ai.
Mujaj në emër të DnV-së u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin në zgjedhje, ndërsa partive politike për maturi. Ai tha se DnV-ja ka 498 vëzhgues ndërsa do të jenë të vendosur 100 ekipe mobile.
“Ne si DNV u bëjmë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në zgjedhje, të shprehin mendimin e tyre lirshëm dhe pa frikë. Kemi 498 vëzhgues që janë gati, kemi të angazhuar edhe 100 ekipe mobile. Sivjet do te fokusohemi në numrin paralel të votave, ndryshe nga praktikat e kaluara. Secila votë ka vlerën e saj prandaj duhet të kujdesemi që të votojmë saktë. Nesër të mos rrimë në shtëpi, të vendosim maskat dhe të votojmë. DnV u bën thirrje partive të tregojnë maturi për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Mujaj.
Lidhur me mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore në komunat serbe foli Dusan Radakovic nga DnV, i cili tha se fushata u zhvillua në mënyrë paqësore, pa ndonjë incident. Sipas tij, Komisionet Komunale të Zgjedhjeve zbatuan aktivitetet e tyre në përputhje me ligjin, procedurat e përshkruara dhe në përputhje me masat epidemiologjike.
Subjektet politike në këto komuna nuk kanë mbajtur pothuajse asnjë mbledhje madhore me mbi 50 persona. Tubimet ishin në përputhje me masat e përshkruara epidemiologjike dhe u raportuan në Komisionet Komunale të Zgjedhjeve 24 orë më parë.
Radakovic shtoi se, aktivitetet e fushatës zgjedhore kanë qenë në minimum dhe fushata u zhvillua kryesisht në rrjetet sociale me intensitet të ulët. Kjo nuk ishte vetëm pasojë e pandemisë, por edhe pasojë e një lloj ngopjeje të qytetarëve me proceset zgjedhore dhe aktivitetet e subjekteve politike.