Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” ka lansuar fushatën vetëdijesuese #AsUne, që ka për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve që të mos u japin votën kandidatëve të korruptuar, raporton Ekonomia Online.
Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim ka thënë se ajo që kishim dashur të flasim është se si ne do ti qasemi zgjedhjeve.
“Kjo kampanjë është votë e bashkuar kundër kandidatëve të korruptuar. Për këtë proces DnV, do të rekrutoj 60 vëzhgues afatgjatë të zgjedhjeve, kurse më 11 qershor do të angazhohen 2 mijë e 700 vëzhgues në mbarë Kosovën që do të vëzhgojnë procesin e hapjes së vendvotimeve, procedurat e votimit, mbylljes së vendvotimeve, procedurat e numërimit dhe dhënien e rezultateve”, ka thënë ai.
Kryeziu iu ka bërë thirrje partive qe të jenë të kujdesshme që të mos përfshijnë kandidatë të korruptuar në lista.
Mjellma Hapçiu-Alijaj nga D4D, ka thënë se të gjitha zhvillimet kanë ndikuar te një mungesë e qytetarëve për të dalë për të votuar në zgjedhje “dhe me qëllim të kthimit të besimit kemi filluar këtë fushatë #AsUnë”.
“Bëjmë thirrje edhe të partitë politike që të mos i përfshijnë kandidatët e korruptuar në listat zgjedhore. Apelojmë te qytetarët që votën e tyre ta hedhin me një vetëdijesim më të madh. Personat që janë të akuzuar për korrupsion nuk e kanë vendin në listat zgjedhore dhe nuk mund t’i përfaqësojnë qytetarët në Kuvend, të marrin vendime për ta. Njëkohësisht duam t’i sensibilizojmë qytetarët e Kosovës që mos t’i votojnë ata të cilët akuzohen për vepra korruptive, nëse të njëjtit përfshihen në listat e kandidatëve të partive politike”, ka thënë ajo.