Rrjeti i organizatave “Demokracia në Veprim” (DnV) ka paraqitur vlerësimin preliminar të raundit të dytë të zgjedhjeve që u mbajtën të dielën.
Albert Krasniqi, nga DnV, tha se në krahasim nga zgjedhjet e raundit të parë por edhe të zgjedhjeve lokale të mëhershme , raundi i dytë i zgjedhjeve është karakterizuar me rënie të parregullsive të hasura nga vëzhguesit e DnV-së në teren.
“Në bazë të asaj çfarë kemi marrë prej konstatimeve prej terrenit nga dita e djeshme, zgjedhjet kanë qenë të qeta dhe të drejta dhe i kanë përmbushur standardet”, tha Krasniqi, raporton Ekonomia Online.
“Parregullsitë që kemi nga vëzhguesit janë parregullsi të lehta dhe janë në rënie në dallim prej zgjedhjeve të raundit të parë, apo edhe më herët”.
“Në 29 vendvotime ka pasur votim jashtë kabinave; 12 qendra janën hapour me vonesë si rezultat i vonesës së komisionerëve. Prania e personave të paautorizuar është evidentuar në 21 vendvotime”, ka numëruar Krasniqi, disa nga parregullsitë.
“Gjatë procesit të numërimit nuk është raportuar për ndonjë parregullsi”.
DnV bëri të ditur se vëzhguesit e tyre janë edhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Fushë-Kosovë, për të parë numërimin e votave me kusht, atyre që kanë ardhur me postë dhe të personave me nevoja të veçanta.