Demokracia në Veprim (DnV) ka publikuar të dhëna rreth vëzhgimit që i ka bërë fushatës se deritanishme parazgjedhore të subjekteve politike.
Gjithashtu u bënë publike edhe aktivitetet që DnV ka zhvilluar me Transparency International.
DnV thotë se gruaja vazhdon të ketë një pjesëmarrje të vogël në aktivitetet parazgjedhore të partive, ndërsa numri i fëmijëve të cilët kanë marrë pjesë në fushatë ka qenë afro një mijë.
“Gjatë bashkëpunimit me Transparency Intenational, është zhvilluar edhe një pyetësor rreth financave apo shpenzimeve që po bëjnë partitë për fushatë. Vetëm 6 nga 20, janë përgjigjur pyetësorit”, thuhet në publikim.
Ondrej Cakl, përfaqësues nga Transparency International, tha se përgjigja e 6 partive mund të konsiderohet një fillim i mbarë duke e krahasuar përvojën me vende të tjera të rajonit.
“Bashkëpunimi jonë ka filluar në fillim të këtij viti me monitorimin e shpenzimeve të këtij viti. Në aktivitetin tonë e shohim si një dialog, ku kemi kontaktuar 20 prej tyre ku kemi dërguar një pyetësor ku ata e kanë plotësuar për t’i përdorur pastaj për hulumtimin tonë”, tha Cakl.
Sipas tij nga 20 vetëm 6 prej tyre e kanë plotësuar pyetësorin. Cakl, tha se në krahasim me vendet tjera konsiderohet si një fillim i mbarë.
“Mund të themi nga këto 6 parti ne mund të shohim se jepen detaje rreth shpenzimeve ku do të thotë kanë dhënë informata të bollshme. Këto 6 parti janë Lëvizja për Bashkim, Partia Social Demokrate, Nisma për Kosovën, LDK-ja, Fjala, Lëvizja për Goran”, pohoi ai.
Dua të theksoj se këta pyetësorë që ne po përdorim janë të bazuar me standarde ndërkombëtare, theksoi përfaqësuesi i Transparency International.
“Ne duam t’i bëjmë thirrje edhe partive të tjera të cilat nuk iu kanë përgjigjur ftesën tonë për pyetësor të marrin këtë parasysh në të ardhmen”, pohoi Cakl.
Ndërsa Florent Spahija nga Demokracia në Veprim tha se në tubimet elektorale vazhdojnë të kenë një pjesëmarrje të vogël të grave, një numër i madh i fëmijëve, të përdoret gjuhë e urrejtjes si dhe incidenteve.
“Deri më tani kemi monitoruar 308 aktivitete po vazhdon me qenë trendi i takimeve të vogla, pra i njëjtë deri 100 persona. Gratë marrin pjesë në fushatë me 10 për qind ndërsa fjalën e marrin vetëm 20 për qind. Numri i fëmijëve i afrohet 2 mijë LDK-ja, prinë me aktivitetet për fëmijë”, tha ai.
“52 për qind të rasteve mediet ishin të pranishme. Në këto zgjedhje vërehet se një numër i madh i aktiviteteve mbahen pa praninë e policisë”, tha Spahija.
“Incidenti që ka ndodhur mbrëmë në Leposaviq, në Malishevë me 6 tetor ka ndodhur një përleshje në mes zyrtarëve politik të Vetëvendosjes dhe të atyre të Nismës. Edhe AKR ka pasur incident në Suharekë”, theksoi Spahija.