Daniela Gjoka nuk arriti të veshë fustanin e bardhë këtë verë.
19-vjeçarja, që mori plagë të rënda nga djegia në Velipojë, një javë më parë nuk i mbijetoi dot shpërthimit pavarësisht mjekimit në itali.
Daniela do të martohej në muajin gusht por një ngjarje aksidentale në hotelin e familjes në Velipojë, e cila mund të parandalohej, i mori jetën tragjikisht.
Zjarri i shkaktuar nga një bombol kampingu plagosi rëndë nënën e saj dhe dy fëmijët e mitur të familjes Gjoka, 15 dhe 12 vjeç. Mëngjesin e katër korrikut ,nëna 40-vjeçare, Alketa Gjoka ka tentuar të ndezë një prej bombolave të gazit, por ka patur rrjedhje, e cila më pas ka çuar në shpërthim flakësh.
Zjarri përfshiu dhomën, por edhe të gjithë hotelin. Pak ditë më parë, policia e Shkodrës arrestoi shitësin e gazit, i cili akuzohet se tregtonte pa licencë gaz të lëngshëm dhe naftë, jashtë kushteve tekniko-ligjore, lëndë me të cilën furnizohej dhe hoteli i 40-vjeçares.
Për ekspertët e Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ky ishte një gabim njerëzor dhe se bombolat e kampingut qe kishte familja në perdorim duhet të shfrytëzohen vetëm njëherë dhe jo të rimbushen. Pas kësaj ngjarjeje, ata këshillojnë konsumatorët që bobolat t’i blejnë vetëm në pika të certifikuara.