“Do të hamë gjethe së shpejti”: Dyqanet bosh në Gazë

Prishtinë | 14 Nën 2023 | 19:56 | Nga Ekonomia Online

Raftet dhe frigoriferët bosh janë bërë pamje e zakonshme në dyqanet e Han Junisit, teksa shitësit thonë se nuk po iu vijnë furnizime, ndërsa konsumatorët e dëshpëruar pyesin se kur do të përfundojë kjo gjendje.

Banorët e dëshpëruar të Gazës, ankohen për mungesë të ushqimeve dhe mallrave, teksa raftet dhe frigoriferët në dyqane qëndrojnë bosh.

“Gjendja tani është katastrofike. Si pronar dyqani, po vazhdoj të kërkoj nëpër rrugë e përreth meje furnizime për dyqanin tim, por nuk po gjej asgjë. Çdo ditë kërkojmë të gjejmë diçka, por është e kotë, shkon te tregtarët dhe nuk gjen asgjë. Kufiri është i mbyllur, gjithçka është e mbyllur. Para luftës, futeshin rreth 500 dërgesa mallrash. Sot, gjatë luftës, arrijnë shumë pak, vetëm furnizime mjekësore, jo furnizime ushqimore”, tha dyqanxhiu Hassan Abu Shabab.

Thotë se “Do të ndodhë një katastrofë, do të hamë gjethe së shpejti, s’ka mbetur asgjë”

“Gjendja është tragjike, shkon në dyqanet më të mëdha në Han Junis, nuk gjen asgjë nga gjërat elementare. Nuk gjen miell, sheqer, oriz, kripë apo çfarëdo për t’i ushqyer fëmijët. Jemi në një gjendje shumë të vështirë, njerëzit nuk po gjejnë më asgjë për të ngrënë. Pse po ndodh kjo? Kur do të përfundojë?”, tha Um Ibrahim Al-Agha, banore e zhvendosur e Gazës.

Të ngjashme