Organizatat humanitare po bëjnë thirrje që të gjendet një zgjidhje për azilkërkuesit që kanë ngelur pa ngrohje e kushte elementare në ish-Republikën jugosllave, pasi dështuan të kalonin brenda territorit të Bashkimit Evropian
Lipa, Bosnjë, dhjetor (Al-Jazeera) – Qindra emigrantë e refugjatë kanë ngelur në një kamp të hapur pa çadra në Bosnjë-Hercegovinë në ditët kur ka nisur të bjerë dëborë e dendur dhe të ulen temperaturat dimërore.
Refugjatët dhe emigrantët, të cilët ishin strehuar në kampin e Lipas në Bosnjën Veriperëndimore, janë mbështjellë me batanije dhe po flenë në kushte të improvizuara për t’u mbrojtur nga erërat e forta pasi zjarri shkatërroi pjesën më të madhe të kampit disa ditë më parë.
Vendosur në afërsi të kufirit me Kroacinë, në rrethinën e qytetit të Bihaçit, kampi është kritikuar ashpër nga organizatat humanitare dhe bamirëse nga e mbarë bota se nuk i përmbush as nevojat elementare për të jetuar në të.
Në qiell të hapur
Disa ditë pas djegies së kampit, autoritetet boshnjake kanë dështuar të gjejnë zgjidhje për refugjatët në Lipa, duke i lënë rreth një mijë persona në qiell të hapur në temperatura të acarta, pa pajisje për ngrohje, duke ngrënë vetëm ushqime të thata që sigurohen prej organizatave ndërkombëtare të ndihmës.
“Ka rënë borë, temperaturat janë nën zero, nuk ka ngrohje, nuk ka kurrgjë”, ka deklaruar shefi i misionit për Bosnjën i Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit (IOM), Peter Van DerAuveraert.
“Kështu nuk duhet të jetojë askush. Na duhet guxim dhe veprim politik tani”.
Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga shumë organizata humanitare, përfshirë Këshillin Danez për Refugjatë, UNHCR dhe Agjencinë e Migrimit të OKB-së, u është bërë thirrje autoriteteve vendase që të bëjnë zgjidhje menjëherë, me qëllim që refugjatët të mos lihen në këtë gjendje të mjerueshme.
“Strukturat që ende ekzistojnë te lokacioni nuk janë të sigurta dhe rrezikojnë të bien derisa po vazhdon të bjerë dëborë. Pa ngrohje, veshmbathje, hipotermi dhe probleme të tjera serioze shëndetësore të shkaktuara nga temperaturat e ulëta që tashmë po raportohen nga zona, gjendja rrezikon të vështirësohet edhe më shumë”, thuhet ndër të tjerash në deklaratën e përbashkët të së shtunës.
“Është në duart e autoriteteve që të ofrojnë mbrojtje minimale për ata që kanë ngelur jashtë qendrave të strehimit në këto kushte të tmerrshme dimërore. Në këtë listë përfshihen të pastrehët e Lipës, por edhe dy mijë të tjerë që janë vendosur në ndërtesa të braktisura ose në kampe të lëna pas dore”.
Ndërmjet dy zjarreve
“Dështimi për të vepruar menjëherë me urgjencë të madhe do të vërë në rrezik jetën e shumë prej tyre”, shtohet në deklaratën e organizatave vendase e ndërkombëtare të ndihmës.
Emigrantët dhe refugjatët, kryesisht nga Lindja e Mesme, po përballen me kushte të mjerueshme në Bosnjë për muaj me radhë. Ata kanë ngelur në ish-Republikën jugosllave me shpresën se do ta kalojnë kufirin dhe do të hyjnë në Kroaci, anëtare e Bashkimit Evropian. Shumica prej tyre synojnë të kalojnë në shtetet më të pasura veriore dhe perëndimore të Evropës. Megjithatë, janë përballur shpesh me dhunën e njësiteve policore kufitare të Kroacisë, që po i kthejnë nga kanë ardhur.
Bosnja, një shtet edhe ashtu me shumë telashe funksionimi, thotë se nuk ka kapacitete për t’i strehuar dhe për të siguruar ushqim për mijëra refugjatë që kanë ngelur në territorin e saj. Në mungesë të gjetjes së zgjidhjes zyrtare, refugjatët po improvizojnë strehimore duke përdorur edhe objektet e fabrikave të mbyllura ose të braktisura në zonën veriperëndimore. Ata nuk po heqin dorë prej përpjekjeve për ta kaluar kufirin, pavarësisht se është raportuar më parë se policët kroatë, pos që i kanë rrahur, edhe ua kanë marrë paratë dhe dokumentet personale.
“Do të vdesim, ju lutem na ndihmoni!”
Në Bosnjën me sistem të ndërlikuar të pushteteve qendrore dhe lokale ndërmjet dy entiteteve politike – entiteti kroat-boshnjak dhe ai serb – nuk ka një strategji gjithëpërfshirëse për ta menaxhuar gjendjen që po vazhdon të rëndohet.
Megjithatë, Bosnja vazhdon të konsiderohet trampolinë për të kaluar në Evropën Perëndimore për mijëra emigrantë që vijnë nga shtete me trazira të thella politike ose me luftë civile nga rajoni i Lindjes së Mesme.
Kampi i Lipas, i cili u hap në pranverë si strehimore e përkohshme për verë, 25 kilometra larg nga Bihaçi, u dogj të mërkurën shkaku i përdorimit të pajisjeve të ngrohjes për dimër. Por, organizatat bamirëse akuzuan autoritetet vendase se dështuan të ofronin akomodim për banorët.
Qeveria qendrore synonte që refugjatët dhe emigrantët të kthehen përkohësisht në kampin Bira në Bihaç, që ishte mbyllur në tetor, por për këtë nuk u pajtuan autoritetet vendase. Zyrtarët thanë se pjesët e tjera të Bosnjës duhet të marrin gjithashtu përgjegjësi për krizën e emigrantëve.
“Ju lutem, hapeni kampin Bira që të gjithë të shkojmë atje, është shumë ftohtë këtu”, është përgjëruar Yasini nga Pakistani. “Këtu është shumë ftohtë, nuk mund të qëndrojmë këtu, nuk kemi ushqim, jemi të uritur”.
Bashkimi Evropian, që kishte mbështetur Bosnjën me 60 milionë euro për ta menaxhuar krizën e refugjatëve dhe zotoi 25 milionë euro të tjera më vonë, vazhdimisht u ka kërkuar autoriteteve boshnjake që të gjejnë alternativë për kampin e papërshtatshëm të Lipës. Brukseli ka paralajmëruar se mund të kthehet në krizë humanitare.
“U bëjmë thirrje autoriteteve që t’i lënë mënjanë qëndrimet politike dhe përkohësisht ta rihapin qendrën Bira në Bihaç”, është thënë në komunikatën e BE-së.
“Po jetojmë si kafshë”
Shumica janë ngujuar në rajonin veriperëndimor të Krajinës për shkak se rajonet e tjera me përzierje më të madhe etnike kanë refuzuar pranimin e tyre. Mekanizmat e BE-së e kanë paralajmëruar Bosnjën se ulja e temperaturave rrezikon jetën e refugjatëve dhe emigrantëve.
Të shtunën, emigrantët e Lipës u mblodhën për të marrë ushqim dhe ujë të siguruar nga Kryqi i Kuq i Bosnjës, derisa policia po mundohej ta mbante rendin. Disa prej emigrantëve mbanin maska për t’u mbrojtur nga koronavirusi.
“Po jetojmë si kafshë. Madje, edhe kafshët po jetojnë më mirë se ne!” – ka thënë një burrë nga Pakistani, duke u identifikuar vetëm si Kasim.
“Nëse nuk na ndihmojnë do të vdesim, andaj ju lutem na ndihmoni”.
Pa kurrfarë zgjidhjeje, emigrantët kanë shtruar letra të forta në tokë dhe kanë krijuar barriera të improvizuara për pak privatësi brenda tendës së vetme në këmbë në kampin e Lipës.
Disa emigrantë kanë mbajtur shputat e lagura mbi zjarrin e ndezur jashtë sa për t’u ngrohur pak, derisa të tjerët janë mbështjellë me batanije për ta ngrohur paksa trupin. Shumica kanë vetëm atlete në këtë kohë dimri.
Për të dalë në Kroaci, emigrantët shpesh përdorin rrugët alternative malore përgjatë rripit kufitar. Ata vazhdimisht akuzojnë policinë kroate për sjellje brutale.
Grupet e të drejtave të njeriut kanë dokumentuar shkelje të autoriteteve kroate viteve të fundit, përfshirë rrahje të ashpra dhe sulme seksuale ndaj emigrantëve dhe refugjatëve. Gratë dhe të miturit nuk janë kursyer nga dhuna.