Kosova ka ratifikuar në Kuvendin e saj marrëveshjet në kuadër të Procesit të Berlinit, që përfshijnë edhe lëvizjen vetëm me letërnjoftime me Bosnje e Hercegovinën. Megjithatë një proces të tillë, siç edhe është pritur po e bllokon kreu i “Republika Srpska”, Millorad Dodik.
Ndaj tij ka reaguar ashpër raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon duke i bërë thirrje Dodikut që të mbajë fjalën e tij dhe ta ratifikojë marrëveshjen.
“Të bllokosh ratifikimin për ta parandaluar qytetarët e Kosovës të udhëtojnë lirshëm është e papranueshme”, ka shkruar Von Cramon.
“I bëj thirrje Milorad Dodikut që ta mbajë fjalën dhe ta ratifikojë! Bllokada të tilla po e pengojnë rrugën drejt BE-së”, ka shkruar tutje Viola von Cramon.
Dje kreu i “Republika Srpskas”, Millorad Dodik ka zhvilluar një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimi i tyre ka ardhur menjëherë pas takimit të nivelit të lartë të ndodhur në Bruksel.