Mbi të ardhmen e Bosnjës e Hercegovinës u fol sot në një panel liderësh në kuadër të Forumit të Diplomacisë që po mbahet në Antalia të Turqisë.
Anëtari serb i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës ka kërkuar ndryshimin e Kushtetutës së këtij shteti, duke thënë se më s’është adekuate për Bosnjën e sotme.
“Kushtetuta ekzistuese nuk i shërben Bosnje e Hercegovinës së sotme. Ne duhet ta ndryshojmë atë. Ne besojmë që Turqia mund të luajë një rol krucial në atë që do të ndodhë”.
Por, tjetër kërkesë pati anëtari boshnjak i Presidencës, Shefik Xhaferoviq, i cili për dallim prej anëtarit serb, kërkoi respektimin e një pjese të Marrëveshjes së Dejtonit dhe mbrojtjen e vendit të tij nga NATO.
“NATO luajti një rol për t’i dhënë fund luftës në Bosnje dhe ka përgjegjësi për ta mbrojtur atë, sipas Marrëveshjes së Dejtonit”.
Bosnje e Hercegovina, Në mbledhjen e jashtëzakonshme të ministrave të jashtëm të NATO-s, u përmend si vend ku ka rrezik të përhapjes së konfliktit nga Ukraina bashkë me Gjeorgjinë.
Para se të fillonte agresioni rus ndaj Ukrainës, ishte përhapur frikë dhe shqetësim për një konflikt të ri në Bosnje e Hercegovinë pikërisht për shkak të retorikës radikale të liderëve serbë të Bosnjës për të krijuar ushtrinë e tyre dhe thirrjet për ndarje. Dodik pati kërcënuar se do të vazhdojë para me largimin e entitetit, Republika Srpska, nga të gjitha funksionet shtetërore.