Dogana e Kosovës arreston një zyrtar doganor në Han të Elezit

Prishtinë | 14 Tet 2022 | 16:10 | Nga Ekonomia Online

Oficerët e hetimeve të Doganës së Kosovës kanë arrestuar një zyrtar doganor në Han të Elezit për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Hetuesit e Doganës, në bashkëpunim me Prokurorinë, pas një hetimi disamujor, sot në orët e hershme të mengjesit, kanë zënë ne flagrancë zyrtarin doganor dhe katër të dyshuar (të gjithë janë dërguar në mbajtje).

Dyshohet se zyrtari i arrestuar në vazhdimësi ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke futur në Kosovë mallra pa pagesën e taksat doganore.

Ky rast është vazhdimësi e politikës së doganës “Zero Tolerancë për keqpërdorim të detyrës dhe korrupcion”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Dogana e Kosovës thekson se në bashkëpunim me autoritetet kompetente do të vazhdojë të ushtrojë kontrolla në kuadër të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saj, me qëllim parandalimin e veprimtarive ilegale në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Dogana e Kosovës fton qytetarët të njoftojnë secilin rast të sjelljes joetike të zyrtarëve doganorë në numrin e telefonit 080050095.

Të ngjashme