Dogana e Kosovës kap vaj dhe “Coca Cola” të kontrabanduara nga Serbia

Prishtinë | 27 Pri 2022 | 12:12 | Nga Ekonomia Online

Oficerët doganorë të Kosovës kanë ushtruar bastisje në dy lokacione në Kijevë dhe Lipjan, të dyshuara për posedim të mallrave të kontrabanduara.

Njësitet antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë ushtruar kontroll dhe me kete rast është hasur në mallra pa dokumentacion të prejardhjes, rrjedhimisht të kontrabanduara nga Serbia.

“Në lokacionin e parë janë gjetur 550 litra vaj ushqimor me origjinë nga Serbia, derisa në lokacionin e dytë janë gjetur rreth 800 litra pije ‘Coca Cola’, po ashtu me origjinë nga Serbia. Mallrat janë sekuestruar dhe rastet janë referuar në procedurë kundërvajtëse”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Dogana e Kosovës thekson se në bashkëpunim me autoritetet kompetente do të vazhdojë të ushtrojë kontrolle në kuadër të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saj, me qëllim parandalimin e veprimtarive ilegale në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Dogana e Kosovës fton qytetarët të njoftojnë secilin rast të sjelljes joetike të zyrtarëve doganorë në numrin e telefonit 080050095.

Të ngjashme