Rreth gjysmë milioni euro ari dhe argjend pa dokumentacion janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës në qytetin e Prizrenin, pas një operacion të përbashkët me zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës në disa argjendari.
“Zyrtarët e Doganës së Kosovës dhe Administratës Tatimore të Kosovës kanë kryer një operacion të përbashkët kontrolli në pesë argjendari në qytetin e Prizrenit. Ky operacion u fokusua në identifikimin e mallrave pa prejardhje të dokumentuar në kuadër të përpjekjeve për të luftuar kontrabandën dhe tregtinë e paligjshme”, thuhet në njoftimin e doganës.
Sipas njoftimit në këtë operacion janë konfiskuar 10 kilogram ari dhe 3 kilogram argjend pa dokumentacion të rregullt. Vlera totale e këtyre mallrave të konfiskuar, sipas doganës, arrin rreth 450 mijë euro.
“Kontrollet u kryen në disa lokacione të ndryshme brenda qytetit të Prizrenit. Zbulimi i këtyre mallrave u bë falë punës së palodhur dhe përkushtimit të zyrtarëve të Doganës dhe Administratës Tatimore. Dyshohet se këto mallra janë kontrabanduar”, thuhet më tej në njoftim.
Dogana e Kosovës me këtë rast u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë që mund të ndihmojë në luftën kundër kontrabandës dhe aktiviteteve të paligjshme.
“Bashkëpunimi juaj është thelbësor për të siguruar një shoqëri të drejtë dhe të sigurt”, thuhet në fund të njoftimit.