Dogana e Kosovës ka njoftuar se Njësitë Antikontrabandë kanë realizuar dy raste të ndara operative në rajonin e Prizrenit, ku është zbuluar një sasi e konsiderueshme e etanolit (alkool i koncentruar 96%), që dyshohet se ishte futur në qarkullim ilegal për shmangie nga taksat doganore.
Sipas njoftimit, gjatë kontrollit në terren është ndaluar një automjet transportues, ku janë gjetur 500 litra etanol pa dokumentacion përkatës përcjellës. Personat e përfshirë nuk kanë poseduar dëshmi për origjinën e rregullt të mallit, importin legal apo pagesën e detyrimeve doganore.
Pas ndalimit, janë ndërmarrë veprime të menjëhershme operativ-hetimore dhe kontrolle shtesë në lokacione të dyshuara. Si rezultat, është zbuluar edhe një sasi tjetër prej 500 litrave etanol, e fshehur në garazhin e një shtëpie në të njëjtin rajon.
Dogana bën të ditur se sasia e përgjithshme e sekuestruar arrin në 1000 litra etanol (alkool i koncentruar 96%), për të cilën nuk është paraqitur asnjë dokumentacion që dëshmon origjinën, importin e rregullt apo pagesën e obligimeve fiskale.
Bazuar në llogaritjet fiskale, kjo sasi përfaqëson shmangie nga pagesa e akcizës, taksave doganore dhe TVSH-së në vlerë rreth 6,260 euro, duke shkaktuar dëm të drejtpërdrejtë në buxhetin e Kosovës dhe konkurrencë të padrejtë në treg.
Rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt hetimore në koordinim me institucionet kompetente, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se do të ndërmerren të gjitha veprimet ligjore ndaj personave të përfshirë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dogana e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës, mbrojtjen e tregut të ligjshëm dhe parandalimin e shmangies së obligimeve fiskale, duke paralajmëruar vazhdimin e operacioneve antikontrabandë në gjithë territorin e vendit.