Oficerët doganorë, duke vepruar sipas detyrës zyrtare, kanë bastisur një lokal në rajonin e Prizrenit që operonte me lojëra fatie në mënyrë ilegale. Me këtë rast, janë konfiskuar pajisje me vlerë rreth 6000 euro.
“Gjatë patrullimeve rutinore të njësisë anti-kontrabandë kanë vërejtur një lokal të dyshimtë me derë të hapur dhe me pajisje për lojëra të fatit ilegale. Pasi pronari i lokalit ka parë automjetin e doganës është futur brenda dhe ka mbyllur derën nga brenda”, bën të ditur Dogana.
“Përkundër thirrjeve që të hap derën personi nuk ka vepruar ashtu. Njësitet e Doganës, në bashkëpunim me policinë, dhe pas kontakteve me prokurorin kanë marrë urdhër për të hapur derën me forcë”.
Pas hyrjes në lokal janë gjetur dhe konfiskuar pajisje të lojërave të fatit të palicencuara si më poshtë:
– Aparate për lojëra fati të llojit “Kajot” – 3 copë
– Televizorë – 3 copë
– Lucky SIX-ELBET, lojëra fati – 1 copë
– DVR – 1 copë
– Monitor – 2 copë
– Printer – 1 copë
Të gjitha këto pajisje janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës.
Dogana fton qytetarët që të thërrasin në telefonin 0800 50 095 nëse hasin apo shohin keqpërdorime dhe kontrabandim.