Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës ka mbajtur konferencë për medie në të cilën kanë paralajmëruar nisjen e grevës nëse nuk bëhen ndryshime në Ligjin për Paga ose nuk ftohen për dialog , raporton Ekonomia Online.
Ata kanë kërkuar që të mos ketë ulje të pagave për zyrtarët doganorë, të cilët në Ligjin për Paga kanë pësuar ulje të koeficientit.
Ata i kanë ofruar Qeverisë afat deri ditën e nesërme në orën 12:00 për të reflektuar ndryshe thonë se hyjnë në grevë ku nuk përjashtohen masat sindikale.
Kryetari i Sindikatës, Ali Vitia, tha se kërkojnë të ndryshohet statusi i zyrtarëve doganorë të cilët në Ligjin e Pagave konsiderohen shërbyes civil dhe kanë pësuar ulje të pagave.
“Kjo konferencë është thirr për shkak të ligjit për zyrtarin publik dhe paga. Ne me datë 29 janar 2019-të kemi pranuar një plotësim ndryshim për zyrtarin dhe kemi vërejt ndryshime drastike, është thirr Kuvendi i jashtëzakonshëm me 30 janar 2019 ku kanë marrë pjesë gjitha rajonet e Kosovës nga doganat aty u vendos me u kriju këshilli grevist që nëse Qeveria vazhdon me procedu Ligjin për Zyrtar Publik dhe Paga duke na dëmtuar neve me fillu me grevë 1 orësh dhe më pas me veprime sindikale”, tha Vitia.
“Kushtetuta pjesëtarët e doganës i karakterizon me pjesëtarët tjerë të sigurisë, në këtë ligj që është bërë ndryshimi nga statusi i zyrtarit publik në shërbyes civil kjo bie në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet e doganës”, tha ai.
Vitia tha se nuk kërkojnë paga më të larta, por ato që kanë pasur pa asnjë ulje.
“Te Ligji Pagave nuk kemi kërkuar paga shtesë sepse i kemi të vogla, kemi rroga mesatare si gjitha organizatat tjera dhe për punën që bëjmë nuk janë të mjaftueshme. Ne kërkojmë pagat tona mos të preken, të mos ketë ulje të pagave sepse jemi të pakënaqur”, tha ai, raporton EO.
Ai tha se kanë pasur takim me ministrin e Financave, Bedri Hamza dhe koordinatorin Besnik Tahiri ku kanë dhënë mbështetjen e tyre dhe se ju kanë premtuar se nuk do të ndryshoj asgjë tek punonjësit doganorë, por do mbetet siç ka qenë në të kaluarën tash e 20 vjet.
“Na kanë premtuar që deri nesër do bëhet ndryshim i këtij neni dhe zyrtari doganor do kthehet ashtu siç ka qenë. E kemi shty grevën deri në informatat e ardhshme, besoj se nesër ministri Hamza e Qeveria do japin informata tjera, por nëse nuk ka vullnet dhe shteti të mos pësoj kolaps ekonomik ne do marrim hapat tonë sindikal”, tha Vitia.
Anëtarja e Sindikatës dhe Kryetarja e Këshillit Grevist, Zijavere Keqmezi-Rexhepi, tha se nëse nuk ka ndryshime atëherë nesër nga ora 12:00 do të fillohet me veprime nga sindikata.
“Nëse nuk respektohen kërkesat tona për ndryshime, ne sot kemi paralajmëruar grevë që është dashur të ndodh nga ora 14:00 deri në 15:00 në gjitha pikat kufitare e në sektorët tonë, por e kemi shtyer sepse kemi marrë informata nga takimet e kryesisë sonë me ministrin Bedri Hamza kemi marrë premtime dhe do i japim hapësirë dialogut deri në orën 12:00. E nëse nuk respektohen këto ndryshime atëherë ne do vazhdojmë me grevë”, tha Keqmezi-Rexhepi.
Nënkryetari i Sindikatës, Kujtim Krasniqi, tha se dogana e meriton një trajtim te veçantë si sektorët e tjerë të sigurisë.
“Të mos ulen pagat, ne nuk kërkojmë pagat të rriten, por të mbesim aty ku kemi qenë. Ky ndryshim do të ndikoj negativisht te stafi doganor, do ta demotivoj dhe do ketë moskënaqësi të madhe. Kjo do të ndikoj në të hyrat e shtetit”, shtoi Krasniqi.