Drejtori i festivalit “DokuFest”, Veton Nurkollari, sqaroi se ky festival nuk e ka as edhe një plan të vetëm që të zhvendoset nga Prizreni.
Zërat për këtë nisën kur Erion Veliaj njoftoi sot me anë të një postimi në Twitter se Bashkia e Tiranës do të jetë sponsor zyrtar i DokuFestit për këtë vit. E ky lajm vjen pak orë pasi u bë e ditur se festivali Sunny Hill u zhvendos nga Prishtina në Tiranë.
“Është vetëm një njohje dhe mbështetje nga ana e Bashkisë së Tiranës, e cila shpresoj që do të konkretizohet në ditë të ardhshme, se është ende në suaza të zotimit nga Veliaj. Jemi ne bisedim e sipër”.
“Nuk bëhet fjalë për zhvendosje të festivalit në Tiranë, as me sponsorim gjeneral e asgjë të ngjashme. S’kemi pasur asnjëherë ndonjë ide të tillë”, tha ai.
Nurkollari bëri të ditur po ashtu se para 10 vjetësh ndoshta ka pasur oferta e mundësi për zhvendosje të festivalit, por siç theksoi, asnjëherë s’e kanë shqyrtuar seriozisht sepse DokuFest është i qytetit të Prizrenit dhe se aty do vazhdojë të mbetet.