Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Kulturës, pritet të zhvendosen në objekte private, kjo për shkak se në këto dy ministri do të vendoset Presidenca.
Tashmë ka filluar edhe bartja e dokumentacionit të MBPZhR-së.
Por forma e bartjes nuk është ajo e duhura.
Një punonjës ka treguar për EkonomiaOnline se dokumentacion i rëndësishëm i Ministrisë së Bujqësisë po qëndron i pamonitoruar nëpër korridoret e objektit të cilin kjo ministri e ndan bashkë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Pamjet e siguruara nga EkonomiaOnline tregojnë se si janë lënë dokumentet e vendosura në korridorin e objektit, para largimit drejt objektit të ri.
“Është skandaloze si janë hedhur dokumentet zyrtare te ndjeshme nga MBPZHR ne korridore. Ne një shtet normal do te duhej te jepet llogaridhënie nga hierarkia qe ka vendosur të të krijojë situata te tilla, kjo përben vepër penale pa mëdyshje. Dokumentet po hedhen e barten ne këtë forme nga palët e jashtme pa kurrfarë komisioni pranim dorëzimi te këtyre dokumenteve”, ka thënë ai për EkonomiaOnline.
Largimi i këtyre dy ministrive po bëhet për shkak se në objektin e tyre të deritashëm do të vendoset Presidenca.
Objekti në pronësi private do t’i kushtojë buxhetit të vendit 105 mijë euro në muaj qira, apo 1.26 milion euro në vit.
Ka gjashtë ditë që zyrtarë të këtyre ministrive kanë protestuar para objektit duke kundërshtuar zhvendosjen në objektin privat.