Serbia, i vetmi vend në Evropë që ka refuzuar të sanksionojë Rusinë për pushtimin e Ukrainës, ra dakord ta furnizojë me armë Kievin ose i ka dërguar ato tashmë, sipas një dokumenti të klasifikuar të Pentagonit.
Dokumenti, një përmbledhje e përgjigjeve të qeverive evropiane ndaj kërkesave të Ukrainës për trajnime ushtarake dhe furnizim me armatim, ishte në mesin e dhjetëra dokumenteve të klasifikuara të publikuara a në internet javët e fundit në atë që mund të jetë rrjedhja më serioze e sekreteve amerikane ndër vite.
I titulluar “Evropa, përgjigja ndaj konfliktit që vazhdon Rusi-Ukrainë”, dokumenti në formën e grafikut i rendit sipas listës 38 qeveri evropiane në përgjigje të kërkesave të Ukrainës për ndihmë ushtarake.
Grafiku tregonte se Serbia refuzoi të ofronte trajnime për forcat ukrainase, por ishte zotuar të dërgonte armatim ose e kishte furnizuar atë tashmë. Gjithashtu, aty thuhet se Serbia kishte vullnetin politik dhe aftësinë ushtarake për t’i ofruar armë Ukrainës në të ardhmen.
Reuters shkruan se zyra e presidentit serb Aleksandar Vuçiqm dhe ambasada e Ukrainës nuk iu përgjigjën pyetjes për komentim të këtij dokumenti.
Gjithashtu edhe Pentagoni nuk iu përgjigj pyetjeve të Reuters në lidhje me referencat që bëhen në dokumentin për Serbinë, ShBA-ja edhe më parë ka refuzuar të komentojë ndonjë nga dokumentet e tilla.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë po heton rrjedhjen e dokumentit, ndërsa Pentagoni po e vlerëson dëmin që i është shkaktuar sigurisë kombëtare të ShBA-së, shkruan Reuters