Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri ka bërë të ditur qëndrimin e tij në lidhje me propozimin që projektbuxheti për vitin 2026-të bëhet me procedurë të përshpejtuar, duke thënë se nuk e përkrahin këtë gjë pavarësisht se dihet rëndësia e buxhetit të shtetit, raporton Ekonomia Online.
Nga foltorja e Kuvendit në seancën e jashtëzakonshme ai tha se PDK i duhet afat optimal, minimumi tre ditë për të analizuar.
“PDK nuk e mbështet këtë propozim. Ne e dimë dhe e kuptojmë rëndësinë e buxhetit. Mirëpo ne dje e kemi argumentuar dhe dëshmuar vullnetin tonë dhe gatishmërinë për të kontribuar që shteti mos të bllokohet duke mbështetur propozimin për vazhdimin për muajin mars, andaj sot ne nuk mbështesim këtë propozim. E kuptojmë rëndësinë dhe jemi tolerantë te pjesa të mos ketë proces të rregullt dhe procedurë të përshpejtuar, mirëpo nevojitet kohë. Minimumi kërkojmë afat minimal, që për ne konsiderojmë që minimumi është tre ditë, në mënyrë që deputetët e opozitës dhe pozitës të shohin materialin dhe ta analizojnë, meqë është dokument voluminoz me rreth 700 faqe dhe po flasim për projektligjin më të rëndësishëm”, tha Tahiri.