Kosova jonë po noton në ujërat që notonte në paraluftën e Rugovizmit. Një përulje! Një vonesë! Një pranim nënshtrimi. Një paqtim pushtimit si fat. Sa herë u lëshohet hapësirë aspiratave shovene e pushtuese serbe ne shkojmë në fatkeqësi. Shkojmë edhe në përplasje.
A po e kërkon Rusia një rast të tillë? A duhet ne t’ua japim serbëve një mësim prej heretiku?! Kush do jetë veprimi i mençur në këtë pushtim të ri serb të territoreve. Një republike serbe nën diktat force rojash ure. Ushtri e komanduar nga Beogradi dhe të cytur qoftë edhe kundër tij nga putinizmi.
Serbia nuk po ndryshon. Ajo po cenon sigurinë rajonale. Ka qenë dhe mbetet rrugaçja e rajonit. Një rrugaçi nuk ke se si ti kërkosh ta lë prenë e tij. Atë duhet të mos e lejosh ta nëpërkëmbë. Kroacia si dhe në fillet e shpërbërjes së Jugosllavisë edhe sot po ia tregon vendin këtij rrugaçi.
Kosova po e toleron, atij po i rriten veshët. Të kujtojmë Kninin. Serbia do donte sot një Knin qoftë edhe krejt kroat siç është por me derë të hapur për serbët. Por nuk mund ta ketë, sepse ajo ishte rrugaçe e halldupe dhe mori mësimin e quajtur “OLUJA”.
Deshi hise atje ku nuk mund ta kishte në Sofrën Kroate ku kishte prerë e vrarë sa dhe Dantes i kishin sosur Rrathët e Ferrit. Kujtojmë në dhimbje e përgjegjësi civilizimi, Vukovarin, ku lumi ishte populluar më shumë nga sytë e nxjerrë kroat bajonetash serbe se sa nga peshqit. Thikat serbe e kishin bërë të qante dhe vetë historinë, atë burrneshën që në gjirin e vet mbanë gjithë të këqijat e të mirat e njerëzimit.
Ata nuk reshten. E bënë Bosnjën ku u turpërua njerëzimi për civilizimin. Edhe pse Srebernica rri varur në ndërgjegjen e perëndimit, ata i dhanë krimit një shpërblesë, Republikën serbe të Bosnjës.
Po Kosova e përflakur e përgjakur një shekull të tërë, ç’farë u dashka të paguaj pas një lufte gjenocidiale, Territore?!!! Lufta këtij vendit dhe popullit tonë i dha dhimbjet, derisa Paqja po i merr dheun nën këmbë! Ne po paguajmë më shumë se vetëm territore , pasiguri, joidentitet ndërkombëtar, jo bashkim. Eteri ku na kanë hipur zor të na mbajë gjatë.
Nga atje kur të trandemi, me rënien në tokë ne duhet të shkojmë diku? Ku do e kemi vetëdijen? Cili do jetë ai nga rrethana të tilla? Lutem të mos jetë asgjëja! Këtë përgjigje do duhej ta jepte shteti ligjor dhe shoqëria funksionale. A i kemi ne këta dy mekanizma ku rri varur suksesi? Ata na mungojnë sot! Ata na mungojnë sot sepse dilitantizmi asnjëherë nuk i ndërton ato.
Meqë na mungojnë këto dy vlera i bie të jemi udhëhequr nga dilitantët, por pse mos e themi dhe të vërtetën e madhe edhe nga zanatqitë që shpirtin e shitur tek Jugoserbët e kishin ushtruar si ligësi veprimi bashkëpushtues në ndihmë Serbisë ehe gjenocidiale. Po të rinjtë e veprimeve armiqësore e sakatosëse ndaj vendit, a kanë emër?! Sigurisht që po.
Fajet për pasluftën nuk i bartin Ish Jugoserbët edhe pse veprimet janë masive të tyre, por Çlirimtarët tanë nga Hashimi e tutje…
Për Hapësirën që u dhanë, pra për ngjizjen e krimit ekonomik nga pushtimi i institucioneve me këtë shtresë Meqë këta ish argatë të Serbisë edhe gjenocidiale a duhet të jenë mjaftuar vetëm me shpërfytyrimin ekonomik të vendit? Do thosha jo. Gjithë ato të këqija, qofshin vrasjet enigmatike a përfshirjen e personave me të shkuar kriminale në performanca ndikuese partish, të cilat u përpoqën në vazhdimësi Kosovën ta shpien në përplasje të brendshme antiluft-çlirimtarë
E mora nga Hashimi për çlirimtarët sepse ai u afishua nga ajo klasë në drejtim të Qeverisë së përkohshme. Edhe pse unë personalisht besoj dhe i bëjë më me faj ish drejtimin e LPK-së. Ata që kishin pasur Shpatulla të merrnin përsipër përlindjen e një lufte Çlirimtare do duhej të kishin kurajën edhe të disiplinonin një klan. Por kjo sot ka pak rëndësi. Jemi këtu ku jemi. Serbia po luan muret Ebreje. Drama nuk është thjeshtë një dramë ajo shkon përtej tragjedisë. Ajo është një zezonë e re.
Serbët po nguten të bëjnë realitetin kufi dhe brendi marrëveshjesh. Ta vënë këdo para faktit të kryer. Ata po nguten shumë dhe ne duhet të kuptojmë se ata po gatiten për Aneksim të zonave nën administrim të tyre si Veriu por pse jo edhe të ndonjë hapësire të mirë kudo për rreth kufirit të përbashkët me ta.
Është vetëm çështje kohe kur ata do donin të vënin ushtrinë në këto kufijtë tashmë real ku kanë vënë interesat dhe po bëjnë realitetet të pranueshme edhe për Brukselin, sepse po e bëjnë faktik. Bashkësia ndërkombëtare është treguar e dobët për të kthyer realitetet. Ajo është treguar më e zonja t’i pranoj ato realitete duke ju dhënë kohën e duhur që ato të ndërtojnë pakthyeshmërinë.
Naiviteti i politikbërjes sonë dhe miopia e bashkësisë ndërkombëtare, me dashje apo pa të, kanë fryrë aspiratën serbe dhe ajo është këtu, e shpërfaqur vepruese sikur një shekull më parë, kur Nishin e shpopullzoj dhe e bëri të fliste serbisht duke shtyrë kufirin Jugor në zemrën e tokave tona. Të themi shumica e popullsisë nga Prishtina e deri në kufijtë serb kudo që ta marrim veçuar Karadakun janë të shpopullzuarit e atyre trojeve dhe ne flasim për Molla të kuqe e dokrra bajate.
Kështu të parët tanë duhet të kenë folur për Brigjet e Danubit e Beligradin e tyre. Qëllimet serbe janë territoriale aneksioniste, veprimet e tyre janë po ashtu të tilla ndaj nëse nuk e bindim dot Serbinë as ne as Ndërkombëtarët të heq dorë nga qëllimet, ne duhet të bëjmë diçka ta pengojmë në veprimet e saja.
Për veprim të tillë karizmatik duhen “Shpatulla pushtetore”. Koha kur jemi dhe kështu si jemi lënë pak shpresë. Dobësia e politikbëresve, egoizmi i saj bajraktarist, ka bërë një skenë politike të mjerë ku edhe fatet e atdheut janë hedhur në tavolinën e armiqësive të brendshme. Të paktën fatet e vendit të ishin heshtja e të gjithëve dhe bashkimi i pakusht e bashkëpunues!
As këtë minimum hapësire këta mjeranë politik nuk e kanë lënë në hije të detyrimit atdhetar. Dhe ja ku kemi rënë? Sot i përfoluri si Argati vullnetar për Serbinë i ndryshimeve kushtetuese të 1989-ës dhe eksponenti i strukturave jugosllave në Kosovën e kundër pranverës ’81 Isa Mustafa të na bjerë hise për kryeministër në këtë kohë të rëndë. Këtë dhuratë e kemi prej mjerimit politik e klientelist që ka kapur vendin tonë në këto vite thellimi të krimit politik e institucional. FLM Hashim për këtë dhunim që na e ke bërë, FLM opozitë për imponimin që quat në dyert e zgjidhjes.
Dhe më i fuqishmi i politikës sot meqë drejton subjektin e parë në vend Kadri Veseli, pranoje faktin se nuk ke çfarë bënë po aq sa unë një qytetar i zgjebosur mbështjell me fatin e mbijetesës. Kjo situatë hamendëson cilin do të jetë me ndryshimin. Pyetja është me cilin Ndryshim?
(Shkruar nga Blerim Muriq)